Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku është shprehur e pikëlluar pas lajmit për vdekjen e ish-deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku tha se Brovina ishte një grua e jashtëzakonshme.
“Trime, intelektuale, fisnike. Një grua që, edhe pasi kishte kaluar nëpër aq shumë vuajtje, rezatonte vetëm mirësi”, ka shkruar ajo.
Pos tjerash Çitaku kujtoi edhe takimin e sa të parë me ish-presidentin Hashim Thaçi.
“Nuk kam për ta harruar kurrë takimin e saj të parë me Hashim Thaçin dhe luftëtarët e UÇK-së, pas lirimit të zonjës Brovina nga burgjet serbe, ku po mbahej si peng lufte. “Djemtë e mi, sa më paska marrë malli për ju. Edhe më të bukur se në TV po më dukeni. Me ju jam gjithmonë”, shkroi ajo.
“Kështu ishte Flora. E ngrohtë, e guximshme, e pathyeshme. Me një dashuri të pakushtëzuar për Kosovën dhe njerëzit e saj. Jeta e saj ishte dëshmi e një gruaje që e deshi lirinë, i shërbeu vendit të saj dhe, edhe përballë së keqes, nuk e humbi kurrë njerëzoren. Dritë të pastë shpirti, Flora Brovina. Kosova do të të kujtojë me nder e mirënjohje”, ka shkruar deputetja Çitaku.
Për vdekjen e saj ka reaguar edhe deputetja Blerta Deliu-Kodra.
