Tiranë, 1 shtator, Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha sot se çmimi i naftës vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët dhe bizneset në Shqipëri.
Gjatë një deklarate për mediet, Blushi kërkoi pezullimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, me qëllim uljen e çmimit të karburanteve.
Deputeti u shpreh se ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimeve të karburanteve, në Shqipëri çmimi i naftës ka arritur në 219 lekë për litër.
Sipas tij, kjo situatë rëndon më tej mbi familjet shqiptare, bizneset dhe ekonominë në tërësi.
“Partia e Lirisë e ka depozituar prej kohësh në Kuvend Projektligjin për uljen e çmimit të karburanteve, përmes pezullimit të taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit, një masë konkrete, e drejtpërdrejtë dhe e zbatueshme që do të ulte menjëherë çmimin e naftës për qytetarët dhe bizneset”, tha Blushi.
Blushi theksoi se propozimi i Partisë së Lirisë synon që ulja e taksave të reflektohet menjëherë në çmimin që paguajnë qytetarët dhe bizneset.
Partia e Lirisë, vijoi Blushi, mirëpret edhe propozimet e deputetëve të mazhorancës për uljen e çmimit të karburanteve, përfshirë nismat për heqjen e taksës së qarkullimit.
“Nuk ka nevojë të shpiket një ligj i ri dhe as të bëhet propagandë e re. Projektligji i Partisë së Lirisë është në Kuvend, i gatshëm për t’u rishqyrtuar dhe rivotuar. Pezulloni taksën e qarkullimit, pezulloni taksën e Karbonit, ulni çmimin e naftës dhe ktheni paratë në xhepat e shqiptarëve!”, tha ai.
