Dëftesat në letër shkojnë në histori, nga ky vit nxënësit e klasave I-III me dëftesa elektronike

Nga Xh M
412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 maj Zhurnal.mk – Dëftesat në letër po bëhen pjesë e historisë. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, paralajmëroi se për nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën do të ketë dëftesa elektronike. Megjithatë, dëftesat në letër do të mbeten në përdorim edhe këtë vit, me qëllim që mësimdhënësit të përshtaten më lehtë me sistemin e ri. Nga viti i ardhshëm, për këto klasa do të përdoren vetëm dëftesa elektronike, ndërsa gradualisht do të përfshihen edhe klasat më të larta, vitin e ardhshëm deri në klasën e gjashtë, ndërsa nga viti 2028 deri në klasën e nëntë.

“Po, nga ky vit po vendosim dëftesa elektronike nga klasa e parë deri në të tretën. Duke pasur parasysh se është viti i parë, do të ketë edhe dëftesa të shtypura, sepse presim që mësimdhënësit të përshtaten me dëftesat e reja elektronike, gjë që do të jetë lehtësim i madh për ta. Në vend që të shkruajnë dëftesa me dorë, ata do të mund t’i plotësojnë në kompjuter. Më shpejt, më efikas dhe pa gabime, pasi të dhënat tërhiqen nga ditari elektronik”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Me sistemin e ri kursehet letra, zvogëlohet ndotja, lehtësohet puna e mësimdhënësve, ndërsa për më tepër sistemi për regjistrim në shkollat e mesme do t’i tërheqë të dhënat direkt nga vetë shkollat. Janevska komentoi edhe Ligjin për Arsim. Ligjet për Arsimin e Lartë ende po korrigjohen dhe, sipas ministres Janevska, së shpejti do të jenë në seancë qeveritare.

“Ka vërejtje që nuk janë thelbësore, por më shumë nga aspekti juridik dhe nomoteknik, tani po bëjmë harmonizimin, i pranojmë ose nuk i pranojmë. Mendoj se ajo që pashë nuk është problem t’i pranojmë të gjitha. Ligji për shkencën ende po përpunohet, por pres që gjatë javës së ardhshme të jemi plotësisht të harmonizuar. Pastaj vijojnë procedurat qeveritare dhe sapo të harmonizohemi me legjislacionin, kjo do të thotë se kemi versionin përfundimtar dhe ai do të shkojë në seancë qeveritare”, theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit./Alsat.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër