Dëme katastrofale në Dollnen, breshëri shkatërron mbi 1.000 hektarë kultura bujqësore

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Dollnen, 25 gusht Zhurnal.mk – Ndërmjet 1.000 dhe 1.100 hektarë të mbjellë me duhan dhe luledielli janë shkatërruar nga moti i ligë me breshër, që përfshiu Dollnenin dhe zonat përreth.

Breshëri me madhësi sa një arrë dhe era e fuqishme, në disa vende, e kanë shkatërruar deri në 100 për qind prodhimin e duhanit. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sipërfaqet e mbjella me misër dhe speca.

Më së shumti janë dëmtuar tokat bujqësore në Debresht, Ropotovë, Zapolzhan, Llazhan dhe Novosellan. Gjendja më e rëndë raportohet në Novosellan dhe Zapolzhan, ku disa parcela me duhan janë shkatërruar plotësisht.

Kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Duhanprodhuesve, Kire Risteski, deklaroi se një pjesë e tokave është përmbytur, ndërsa bimët e duhanit janë rrëzuar dhe dëmtuar rëndë.

Fermerët druhen se do të përballen me humbje të mëdha financiare, pasi shumica prej tyre nuk e kanë të siguruar prodhimin. Shoqatat paralajmëruan se do të kërkojnë rikthimin e mundësisë që, gjatë lidhjes së kontratave për grumbullimin e duhanit, të lidhen njëkohësisht edhe kontrata sigurimi.

artikuj të ndërlidhura