Demo: Mbi 50% e bashkive kanë miratuar zonat prioritare, procesi drejt fazës së dytë

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 prill, Zhurnal.mk – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se mbi 50% e bashkive në vend kanë miratuar tashmë zonat prioritare, ndërsa pjesa tjetër është në proces për ta përmbyllur këtë fazë sa më shpejt.

Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Demo theksoi se procesi po ecën sipas planit dhe në përputhje me objektivat e vendosura nga qeveria.

“Mbi 50% e bashkive tashmë kanë miratuar zonat prioritare dhe bashkitë e tjera janë në proces për ta përmbyllur këtë fazë sa më parë”, u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur se aktualisht bashkitë ndodhen në fazën 45-ditore të shqyrtimit të aplikimeve, duke shtuar se progresi është i dukshëm.

“Bashkitë janë në fazën 45 ditore të shqyrtimit të aplikimeve dhe procesi po përparon për përmbushjen e objektivave që ka vendosur qeveria për këtë nismë”, tha Demo.

Sipas tij, deri tani janë identifikuar 272 zona prioritare në 32 bashki, ndërsa numri i aplikimeve ka kaluar mbi 500 dhe pritet të rritet më tej me miratimin e zonave të tjera në bashkitë e tjera.

Demo nënvizoi gjithashtu se synohet kalimi në fazën e dytë të procesit, e cila lidhet me miratimin e zonave të reja prioritare, bazuar në kërkesat e bashkive që kanë përfunduar tashmë fazën e parë.

“Synojmë të kalojmë në fazën e dytë të procesit, që është miratimi i zonave të reja prioritare, mbi bazën e kërkesave të bashkive që e kanë përmbyllur tashmë fazën e parë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura