Deputetët përballen me një test të ri, a do të sigurohet shumica e Badenterit?

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 shtator Zhurnal.mk – Shumica parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka caktuar një test të ri, përmes të cilit do të shihet nëse mund të sigurojë shumicën e Badenterit për miratimin e disa ligjeve që prej muajsh janë të bllokuara në Kuvend.

Në seancën e caktuar për të martën e ardhshme, sipas rendit të ditës tashmë të përcaktuar, do të shqyrtohen propozime për ndryshime në dhjetëra ligje me procedurë të shkurtuar. Për miratimin e tyre do të nevojitet edhe votimi me shumicë të dyfishtë, e cila deri tani nuk ka mundur të sigurohet.

Në seancën e paralajmëruar nuk do të votohet menjëherë sipas parimit të Badenterit. Fillimisht do të përcaktohet nevoja për miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore me procedurë të shkurtuar. Për këtë fazë nuk nevojiten votat e shumicës së deputetëve që u përkasin komuniteteve etnike më pak të përfaqësuara, që do të thotë se shumica parlamentare nuk pritet të ketë problem në fazën e parë.

Më pas, propozimet duhet të shqyrtohen në komisionet përkatëse dhe në fund të votohet për miratimin e tyre. Për këtë do të nevojitet mbështetja e më shumë se gjysmës së deputetëve që u përkasin komuniteteve etnike, varësisht nëse votimi bëhet sipas parimit të “Badenterit të vogël” apo “Badenterit të madh”.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në brifingun e sotëm me gazetarët pranoi se ekziston problem me sigurimin e shumicës së Badenterit.

“Është e qartë se Kuvendi ka problem me votimin e ligjeve për të cilat nevojitet shumicë e dyfishtë e Badenterit. Por, për gjithçka në demokraci nevojiten biseda dhe dialog, në mënyrë që të gjendet zgjidhje. Po bisedojmë me të gjithë deputetët dhe po kërkojmë mënyra për t’i tejkaluar këto dallime. Shpresoj se në të ardhmen e afërt do të gjejmë zgjidhje dhe do të dakordësohemi. Është e rëndësishme që Kuvendi të funksionojë”, theksoi Gashi.

Për këtë arsye, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut tashmë është bllokuar miratimi i disa ligjeve.

Prej kohësh nuk mund të miratohen ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, të cilat parashikojnë mundësinë e organizimit të referendumeve qytetare nëpër komuna për shkarkimin e kryetarëve të komunave në rast të punës së tyre të dobët.

Së fundmi u bllokua edhe miratimi i ligjit të propozuar për përfaqësim adekuat dhe të drejtë, i cili përcakton procedurat për punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve më të vogla etnike në administratën shtetërore.

Teksti i këtij ligji e kaloi të gjithë procedurën parlamentare dhe arriti deri në fazën e votimit, ku u konstatua se shumica parlamentare disponon vetëm me votat e 14 deputetëve, kundrejt 18 deputetëve nga komunitetet joshumicë, të cilët janë pjesë e partive opozitare të udhëhequra nga BDI-ja.

Nuk dihet se kur do të votohet për miratimin e këtij ligji, ndonëse kryetari i Kuvendit, Gashi, në brifingun e fundit deklaroi se “së shpejti” ai do të vendoset në rend dite të një seance të Kuvendit.

Opozitarja BDI ka paralajmëruar gjithashtu bllokimin e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe të disa ligjeve të tjera në fushën e arsimit, të cilat tashmë janë në procedurë parlamentare.

Në seancën e ardhshme pritet të nisë procedura për miratimin me urgjencë të ndryshimeve në rreth dhjetë ligje, të lidhura me nevojën për harmonizimin e dispozitave të tyre me Ligjin e ri për Shërbimin e Lartë Drejtues.

Megjithatë, nëse në fund të procedurës nuk sigurohet shumica e Badenterit, edhe këto ligje mund të përfundojnë në sirtarët e Kuvendit.

Nëse, nga ana tjetër, procedura tregon se shumica e nevojshme është siguruar, atëherë do të hapet rruga edhe për miratimin e ligjeve të tjera që aktualisht janë të bllokuara.

Ndryshimet e bllokuara në Kodin Zgjedhor do të shqyrtohen nga partitë politike parlamentare, për të parë nëse ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje për miratimin e tyre.

Kjo u paralajmërua në koordinimin e djeshëm të përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Pas rikthimit të kësaj teme në agjendë, përfaqësuesit deklaruan se do të zhvillojnë konsultime brenda partive për të parë nëse qëndrimet e tyre të kundërta vazhdojnë të mbeten të njëjta apo nëse ekziston hapësirë për lëshime në funksion të arritjes së një kompromisi.

Koordinatorët ende nuk kanë marrë ftesën e paralajmëruar nga ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, për organizimin e një takimi të grupit të posaçëm të punës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër