Sipas saj, viti 2025 shënoi kapërcimin më të madh historik në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Negociatat u çelën në 14 prill 2025. Kjo është një etapë strategjike në progresin e integrimit të tregut shqiptar në tregun e përbashkët europian. Në këtë grupkapitull Shqipëria ka marrë 26 kushte për mbylljen e negociatave që janë të lidhura me tregun e brendshëm, standardizimin e tregut, politikat e konkurrencës dhe mbrojtjen e konsumatorit”, u shpreh Dhuka.
Dhuka theksoi po ashtu se të gjitha projektligjet kanë kaluar në procesin e gjerë të konsultimit publik.
“Gjatë vitit 2025 janë publikuar 96 projektligje për konsultim nga të cilat 38 janë të lidhura me integrimin. Në total 96 782 vizitorë e kanë vizituar regjistrin e konsultimit publik gjatë vitit 2025”, u shpreh ajo.
Sipas Kryenegociatores, Shqipëria punoi për të plotësuar 24 kushte të ndërmjetme në lidhje me fushën e drejtësisë dhe sigurisë që kishin të bënin me 92 drejtime prioritare.
Dhuka informoi se aktualisht vazhdon diskutimi mes 27 vendeve anëtare në Këshill.
“Së pari është shqyrtuar raporti i progresit të Shqipërisë dhe së dyti po diskutohen kushtet për mbylljen e negociatave për dy fusha, kapitujt 23 dhe 24, drejtësia dhe siguria”, shtoi Dhuka, ndërsa theksoi se Shqipëria pret me interes të lartë fazën e mbylljes së negociatave të të gjithë kapitujve.
Lidhur me punën për forcimin e shtetit të së drejtës, Dhuka nënvizoi se ka pasur një numër masash me rëndësi të veçantë në lidhje me konsolidimin e zbatimit të reformës në drejtësi.
“Institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë miratuar rreth 14 akte me rëndësi të veçantë, sidomos sa i përket standardeve të integritetit për gjyqtarët dhe prokurorët. Shqipëria ka kryer vetingun për 805 gjyqtarë dhe prokurorë, tani fjala është që standardet e integritetit të figurës dhe standardet profesionale të jenë të qëndrueshme, të përhershme dhe të mos jetë një proces që fillon dhe mbaron”, shtoi Dhuka.
Lidhur me uljen e stokut të çështjeve gjyqësore, Dhuka theksoi se gjatë vitit 2025 ka një reduktim me 24% të stokut në krahasim me një vit më parë.
“Është ulur numri i çështjeve gjyqësore në pritje. Në krahasim me vitin 2020 ka një reduktim me 60% të numrit të çështjeve në pritje”, tha Dhuka, ndërsa solli në vëmendje edhe punën që është bërë në lidhje me digjitalizimin e sistemit të drejtësisë.
