Dhuna seksuale ndaj fëmijëve, problem serioz

Nga Xh M
487 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 maj Zhurnal.mk – Rasti i fundit i dhunës në një shkollë në Gjorçe Petrov të Shkupit, ka tronditur opinion, pasi një vajzë e klasës së gjashtë është maltretuar nga tre vajza të tjera, bashkëmoshatare.

Ajo është rrahur, e madje është djegur edhe me cigare në trup, e madje është detyruar të bëjë edhe veprime degraduesе. Ngjarja është incizuar me telefon nga vet autorët.

Menjëherë kanë reaguar institucionet, përfshirë policinë, e cila ka marrë në pyetje rreth 14 persona, përfshirë edhe prindërit e të dyshuarave. Lidhur me rastin ka reaguar edhe Avokati i Popullit, prej ku njëherit kanë bërë të ditur se në periudhën 2020–2024, në vend janë regjistruar 508 raste të abuzimit seksual ndaj fëmijëve.

Ndërsa vetëm në vitin 2025 janë regjistruar 96 fëmijë viktima të krimeve kundër lirisë seksuale dhe moralit, shumica dërrmuese e të cilave janë vajza. Madje ka edhe raste të fëmijëve të dhunuar edhe nën 3 vjeç.

Ministria e Arsimit thotë se për rastet e regjistruara në shkolla merren masa të menjëhershme. Por, pyetja që shtrohet sot është: a po reagojnë institucionet në mënyrën e duhur dhe me urgjencën që kërkon kjo situatë?

Nga institucioni i Avokatit të Popullit ngrisin shqetësimin se keqpërdorimi seksual i fëmijëve dhe rastet e dhunës janë një problem i vazhdueshëm që ndodh ndër vite dhe po ndodh edhe tani.

“Kostatim i përgjithshëm është se ky problem është serioz, sistemor, në kontinuitet, alarmon në marrjen e masave sa më shpejtë që të jetë e mundur për parandalimin e gjendjes me keqpërdorimin seksual të fëmijëve dhe alarmon në mos-konsistencë dhe mbrojtjen jo të plotë të keqpërdorimit seksual të fëmijëve”, deklaroi zëvendës-Avokatja e Popullit, Vaska Bajramovska.

Bajramovska njëherit thekson se Avokati i Popuillit ka konstatuar edhe raste të lëshimeve instiucionale në rastet e dhunës.

“Raportet tona vërtetojnë raste individuale ku kemi reaguar, për shembull dhunës ndaj fëmijëve, bullizimit, mbrojtjen e fëmijëve nga sjellja jo-adekuate, shkeljen e një të drejte të caktuar të fëmijës, apo fëmijëve me pengesa në zhvillim. Varësisht për çfarë shkelje bëhet fjalë, flas për rastet individuale ku konstatuam lëshime të sistemit apo organeve dhe kërkuam në raste të caktuara edhe marrjen e masave”, u shpreh Bajramovska.

Sulejmani: MASH merr masa për mbrojtjen e fëmijëve

Ekzistimin e problemit të dhunës ndaj fëmijëve e konstatojnë edhe nga MASH, nga e cila për TVM2 thonë se nuk ka munguar reagimi dhe masat e tyre konkrete.

“Jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse, në këtë aspekt kemi bërë edhe ndryshime ligjore me të cilat kemi obliguar shkollat që në programet e tyre vjetore të inkuadrojnë aktivitete që kanë të bëjnë me tema të cilat i luftojnë këto dukuri të diskriminimit. Folet për tolerancë ndërmjet nxënësve e tema të ngjashme. D.m.th. e kemi ngritur këtë aspekt edhe në çështje ligjore. Përveç kësaj, bëjmë edhe trajnimin e mësimdhënësve që kur ballafaqohen me raste të tilla të dijnë se si të sillen me ata nxënës që kanë grindje ndërmjet bashkëmoshatarëve. Gjithashtu kemi bërë edhe rregullore se si duhet të veprohet në rast se konstatohet ndonjë lloj i bullizmit, ndonjë lloj i problemit me të cilët ballafaqohen fëmijët”, theksoi zëvendës Minsitri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Hamzai: Dhuna seksuale shkakton pasoja të rënda te fëmijët

Psikologu Migjen Hamzai thotë se abuzimi seksual shkakton pasoja të rënda te fëmijët.

“Rrënohet fëmija dhe e dallon rrënimin e fëmijës brenda një jave. Fillon menjëherë të bie në mësime, fillojnë mbyllen shumë, janë të turpshëm dhe janë gjithnjë të kontraktuar si fëmijë. Për fat të keq në 98% të rasteve kjo ndodh nga njerëzit e afërm në familje. Por është e vështirë ta dallosh”, deklaroi psikologu Migjen Hamzai.

Në përhapjen e dhunës ndaj fëmijëve ndikojnë shumë rrethana, thotë psikologu Hamzai. Ai ngrit shqetësimin sidomos në mos-ndëshkimin e këtyre rasteve si nga institucionet ashtu edhe nga shoqëria.

“Ndërshkimi duhet të jetë social. Fakti që marrim miratim dhe aprovim prej shoqërisë dhe fakti që e marrim miratimin me like, me zemër, kjo e përshpejton procesin e zhvillimit të idesë së agresionit. Mirëpo ndëshkimi në sensin penal të fjalës duhet të jepet nga sistemi, nga shteti, nuk bëhet asgjë”, u shpreh Hamzai.

Edhe psikologu Hamzai edhe zëvendës-ministri Sulejmani edhe zëvendës-avokatja e popullit Bajramovska, theksojnë se rëndësi të madhe në parandalimin e dukurive devijante, përveç institucioneve, ka edhe familja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër