Drejtësia në krizë, Gjykata Penale e Shkupit punon me vetëm një të tretën e stafit

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 tetor Zhurnal.mk – Gjykatat përballen me mungesë të gjyqtarëve dhe personelit, e cila sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian ndikon në cilësinë dhe efikasitetin e proceseve gjyqësore. Gjykata Themelore Penale e Shkupit dhe Gjykata e Apelit në Shkup janë ndër institucionet më të mëdha dhe më të rëndësishme të sistemit gjyqësor në vend. Por që të dyja nuk kanë mjaftueshëm kuadër.

Sipas të dhënave të publikuara Gjykata Penale e Shkupit duhet të ketë gjithsej 628 punonjës, por aktualisht ka vetëm 208, respektivisht punon me vetëm 33% të kapacitetit të nevojshëm. Prej tyre janë vetëm 59 gjyqtarë, edhe atë, 8 prej gjyqtarëve janë mbi 59-vjeç, ndërsa 5 mbi 64-vjeç.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Gjykatën e Apelit, ku sipas aktit të sistematizimit duhet të jenë të punësuar 245 persona, megjithatë aktualisht në gjykatë punojnë vetëm 101 apo rreth 41% e kapacitetit të nevojshëm.

“Funksionin gjyqtar në Gjykatën e Apelit është konstatuar që ta kryejnë 51 gjyqtarë plus kryetari. Për momentin funksionin e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit e kryejnë vetëm 35 gjyqtarë. Problemi me mungesën e kuadrit gjyqësor zvarritet për një kohë të gjatë”. – Zoran Gerasimovski, u.d. Kryetar i Gjykatës së Apelit.

E njëjta situatë është edhe me numrin e gjyqtarëve, nevojiten 32, por ka vetëm 7. Jointeresimi sipas kryetarit të Gjykatës është për shkak të kompensimit të ulët.

“Gjykata përballet edhe me mungesën e gjyqtarëve porotë, fillimisht për shkak kompensimit që e fitojnë gjyqtarët për angazhimin e tyre. Kompensimi është konstatuar që në vitin 2018 dhe i njëjti nuk është ndryshuar, që do të thotë se vlera prej 570 denarë në bazë ditore, përfshirë dhe transportit dhe pa e marrë parasysh numrin e seancave në të cilën merr pjesë gjyqtari porotë, është shumë i vogël”. – Zoran Gerasimovski, u.d. Kryetar i Gjykatës së Apelit.

Për mungesën e kuadrit, Komisioni Evropian në raportin e vitit të kaluar alarmoi se gjendja është shqetësuese. Megjithatë, çështja në vend të zgjidhjes, pritet të thellohet. Konkursi për pranimin e 130 kandidatëve të rinj në Akademinë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë u anulua në dhjetor të vitit 2025, pas pengesave procedurale dhe mungesës së mjeteve financiare. Kështu, sistemi gjyqësor mbetet pa gjeneratë të re që do të plotësonte vendet e lira. Sipas të dhënave që publikoi ish ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, pasqyra në tërë shtetin është shqetësuese sa i përket mungesës së kuadrit. Shtetit i mungojnë mbi 200 gjyqtarë, ndërsa administrata gjyqësore funksionon me vetëm 36% të kapaciteteve të parapara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër