Tetovë, 21 korrik Zhurnal.mk – Pas erës së fuqishme që goditi Tetovën dhe shkaktoi dëme në disa pjesë të qytetit, ekipet e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” dolën menjëherë në terren për të ndërhyrë dhe për të normalizuar gjendjen.
Drejtori i NPK “Tetova”, Samet Bislimi, bëri të ditur se menjëherë pas përkeqësimit të motit u mobilizuan ekipet operative, të cilat nisën me largimin e drunjve dhe degëve të rrëzuara, pastrimin e rrugëve dhe hapësirave publike, si dhe eliminimin e pengesave që rrezikonin qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve.
“Prioriteti ynë ishte reagimi i shpejtë në çdo pikë ku u paraqitën probleme, me qëllim që qytetarëve t’u rikthehej sa më parë normaliteti dhe të garantohej lëvizje e sigurt në të gjitha zonat e prekura,” theksoi Bislimi.
Ai shtoi se ekipet e NPK “Tetova” vazhdojnë të jenë të angazhuara në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për sanimin e plotë të pasojave të shkaktuara nga moti i lig.
Bislimi falënderoi punëtorët për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë ndërhyrjeve, duke theksuar se NPK “Tetova” mbetet në shërbim të qytetarëve dhe e gatshme të reagojë në çdo situatë që kërkon ndërhyrje urgjente.

