Drejtoria e të Ardhurave Publike do të shkëmbejë përvoja me Hungarinë për digjitalizimin dhe mbledhjen e tatimeve

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Një delegacion i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, i kryesuar nga drejtoresha e DAP‑it, Elena Petrova, ishte në një vizitë pune në Hungari, me qëllim avancimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave me administratën tatimore të Hungarisë.

Në kuadër të vizitës, drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Petrova, dhe drejtoresha e Administratës Kombëtare për Tatime dhe Dogana të Hungarisë, Monika Rožen Shat, nënshkruan një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin vendoset bazë për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e vazhdueshëm të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira në disa fusha të tatimeve.

Bashkëpunimi përfshin shkëmbim përvojash në fushën e sistemeve IT dhe aplikacioneve të përdorura, deklaratat tatimore të paraplotësuara për të ardhurat personale, arkët fiskale online dhe sistemet elektronike për faturim, si dhe mbështetjen e tatimpaguesve përmes thjeshtimit të procedurave administrative.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe aplikimit të analizave sjellore në proceset e mbledhjes së tatimeve, avancimit të orientimit ndaj klientit dhe qasjeve moderne për menaxhimin e pajtueshmërisë së tatimpaguesve. Memorandumi parashikon edhe shkëmbim përvojash në fushën e metodave dhe mënyrave të analizës së rrezikut, zhvillimit profesional dhe trajnimit të të punësuarve, çështjeve konkrete tatimore, si dhe zbatimin e direktivave të Bashkimit Evropian të lidhura me administratat tatimore.

Gjatë vizitës së punës, delegacionet shkëmbyen përvoja dhe informacione për mënyrat moderne të punës dhe zgjidhjet digjitale në administratën tatimore, me fokus në avancimin e efikasitetit të proceseve institucionale dhe cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit. Nënshkrimi i Memorandumit paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional dhe vendosjes së shkëmbimit të vazhdueshëm të njohurive, përvojave dhe praktikave të mira mes administratave tatimore të Maqedonisë dhe Hungarisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër