Durmishi: Me mbështetje financiare i nxisim investimet dhe konkurrueshmërinë e kompanive vendore

Nga D V
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sot vizitoi kompanitë “Vitalia Nikola”, “Polijesterdej” dhe “BB Continental Metal”, përfitues të mbështetjes financiare sipas Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.

Vizita është pjesë e aktiviteteve të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për ndjekjen e realizimit të investimeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë me kompanitë që e përdorin mbështetjen shtetërore për zhvillim dhe avancim të punës së tyre.

“Ligji për mbështetje financiare të investimeve është një nga instrumentet kyçe përmes të cilit shteti i mbështet kompanitë që investojnë, e rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë dhe krijojnë vende të reja pune. Qëllimi ynë është që mbështetja publike të ketë efekt konkret dhe të matshëm mbi ekonominë – përmes prodhimit më të madh, teknologjive të reja, eksportit të rritur dhe vendeve të punës më të mira”, theksoi ministri Durmishi.

Me ndryshimet e Ligjit, që zbatohen nga 1 janari 2026, kushtet për përdorimin e mbështetjes financiare precizohen më tej. Mbështetja është e orientuar drejt investimeve fillestare produktive në aktivitete prodhuese të industrisë përpunuese, ndërsa si prag bazë është përcaktuar shuma prej së paku 100.000 euro në kundërvlerë denare.

Ligji parashikon mbështetje financiare për disa kategori investimesh dhe aktivitetesh, ndër të cilat punësime të reja, investime kapitale, kërkim dhe zhvillim, projekte investuese me interes të rëndësishëm ekonomik, si dhe aktivitete për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive.

Në pjesën e punësimeve të reja, masa parashikon mbështetje financiare deri në 20 përqind të pagës neto të paguar, pra deri në 4.400 euro në vit për çdo të punësuar të ri. Për investime kapitale, mbështetja mund të arrijë deri në 10 përqind të shpenzimeve të justifikuara investuese, deri në shumën maksimale prej një milion euro në vit, ndërsa për kërkim dhe zhvillim është parashikuar mbështetje deri në 50 përqind të shpenzimeve të justifikuara, gjithashtu deri në një milion euro.

“Veçanërisht e rëndësishme është që sistemi nuk është vendosur vetëm mbi parimin e ndarjes së mjeteve, por edhe mbi arritjen e rezultateve. Kompanitë duhet të realizojnë investim fillestar produktiv, të realizojnë rritje të të ardhurave totale nga puna, ndërsa numri mesatar i të punësuarve të mos ulet për më shumë se pesë përqind krahasuar me gjendjen fillestare të përcaktuar me marrëveshjen”, theksoi Durmishi.

Me ndryshimet nga viti 2026 më tej forcohet roli i Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës në ndjekjen e realizimit të marrëveshjeve. Ministria ndjek implementimin e marrëveshjeve të lidhura gjatë vlefshmërisë së tyre dhe për këtë përgatit raporte për Qeverinë. Në këtë mënyrë sigurohen kontroll më i madh, llogaridhënie dhe efikasitet në përdorimin e mjeteve publike.

“Jemi sot drejtpërdrejt te kompanitë për të parë se çfarë do të thotë kjo mbështetje në praktikë – çfarë investimesh janë realizuar, çfarë rezultate janë arritur dhe cilat janë planet e tyre të ardhshme. Për ne është e rëndësishme t’i dëgjojmë kompanitë dhe nevojat e tyre, sepse vetëm përmes partneritetit mes shtetit dhe biznesit mund të krijojmë klimë më të mirë investuese dhe afariste”, shtoi ministri.

Durmishi theksoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe Punës mbeten të përkushtuara në krijimin e një sistemi të parashikueshëm, transparent dhe efikas për mbështetjen e investimeve, me kritere të qarta dhe efekte ekonomike të matshme.

“Duam që çdo denar mbështetje publike të shndërrohet në investim të ri, produktivitet më të madh dhe vlerë të re ekonomike. Kompanitë vendore të forta dhe konkurruese janë baza për ekonomi të fortë, eksport më të madh, më shumë vende pune cilësore dhe standard më të lartë jetese për qytetarët”, përfundoi Durmishi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër