Dyshime për largimin e Lukrovskit nga Karposhi, Jakimovski ngre akuza publike

Nga Xh M
890 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 maj Zhurnal.mk – Prej më shumë se dy muajsh në korridoret politike të Shkupit po qarkullojnë zëra se kryetari aktual i Komunës së Karposhit, Sotir Lukrovski, dëshiron të largohet nga posti i tij. Situata u bë edhe më e zhurmshme ditët e fundit, kur ai zyrtarisht doli në pushim mjekësor, ndërsa detyrën përkohësisht po e ushtron zëvendëskryetari Nedellço Krstevski.

Të premten, nga Komuna e Karposhit mohuan se Lukrovski ka dhënë dorëheqje, duke sqaruar se ai aktualisht ndodhet në pushim mjekësor. Megjithatë, po atë ditë u publikua edhe vendimi me të cilin ai ua delegon kompetencat një anëtari të Këshillit Komunal.

Ish-kryetari i komunës, Stevço Jakimovski, ngriti publikisht dyshime duke pyetur pse nga Regjistri Qendror ishte kërkuar që Lukrovski të fshihej si person përgjegjës i komunës dhe në vend të tij të vendosej zëvendësi.

“Nëse është vetëm pushim mjekësor, kryetari nuk fshihet nga Regjistri Qendror. Nuk ndërrohen nënshkruesit sikur ai të ishte larguar përgjithmonë. Nuk dorëzohet as vetura zyrtare”, deklaroi Jakimovski.

Pas fitores në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, Lukrovski kishte premtuar se Karposhin do ta shndërronte në një komunë më urbane dhe më funksionale për qytetarët, duke akuzuar strukturat e mëparshme për keqmenaxhim dhe profite personale.

Por sipas informacioneve që qarkullojnë në komunë, ai shumë shpejt është përballur me presionin dhe përgjegjësitë që lidhen me funksionin. Thuhet se Lukrovski ka refuzuar të nënshkruajë dokumente që mund të hapnin përgjegjësi penale personale, sidomos ato që lidhen me ndërtimet e reja, legalizimin e objekteve pa leje, transferet financiare dhe favorizimin e kompanive, kryesisht nga periudha kur komuna drejtohej nga Jakimovski.

Sipas burimeve, ai ka hyrë në panik dhe për muaj të tërë ka shmangur pothuajse çdo nënshkrim zyrtar.

Po ashtu, thuhet se Lukrovski disa herë ka negociuar me udhëheqësinë e VMRO-DPMNE për t’u tërhequr nga posti, por nuk ka marrë dritë jeshile nga partia. Ai madje kishte kërkuar që Këshilli Komunal të marrë përgjegjësinë për vendimet dhe nënshkrimet e tenderëve, por kjo kërkesë ishte refuzuar si joligjore.

Për t’ia lehtësuar punën, VMRO-DPMNE kishte sjellë në komunë Aleksandar Janakieskin, ish-udhëheqës i sektorit të urbanizmit në Gazi Babë, si dhe dy punonjëse nga sektori i urbanizmit në Komunën Qendër. Megjithatë, sipas burimeve, as kjo nuk ka ndihmuar që Lukrovski të nisë të nënshkruajë dokumentet që prej muajsh prisnin miratim.

Deri tani, Lukrovski nuk ka dorëzuar dorëheqje zyrtare te ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski. Opsioni i vetëm për momentin mbetet pushimi mjekësor, por ligjërisht ai nuk mund të mungojë për tre vjet e gjysmë, sa i ka mbetur mandatit.

Sipas procedurave ligjore, nëse kryetari i komunës jep dorëheqje për arsye shëndetësore, Këshilli Komunal zgjedh ushtrues detyre për gjashtë muaj, pas së cilës duhet të shpallen zgjedhje të parakohshme lokale.

Lukrovski u zgjodh kryetar komune nga radhët e VMRO-DPMNE, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski kishte deklaruar publikisht gjatë fushatës se e kishte mik të fëmijërisë dhe se kishte besim të plotë në aftësitë e tij për të udhëhequr Karposhin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër