Rreth 3,000 persona janë shëruar nga virusi Ebola në Republikën Demokratike të Kongos dhe janë kthyer pranë familjeve të tyre, bëri të ditur të dielën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), ndërsa vendi po përballet me shpërthimin më të madh të regjistruar ndonjëherë të kësaj sëmundjeje.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vlerësoi punën e mjekëve, infermierëve, punonjësve shëndetësorë në komunitet, gjurmuesve të kontakteve dhe ekipeve të varrimit, të cilët po punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira për të shpëtuar jetë.
Në një reagim në rrjetin social X, Tedros theksoi se, pavarësisht sfidave të mëdha, përpjekjet e autoriteteve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë po japin rezultate.
Sipas tij, transmetimi i virusit po ngadalësohet në disa prej zonave ku shpërthimi u shfaq fillimisht, ndërsa po përparojnë edhe provat klinike, përfshirë studimin Tumaini dhe zhvillimin e kandidatëve të rinj për vaksina.
OBSH e shpalli shpërthimin e Ebolës, të shkaktuar nga virusi Bundibugyo në Republikën Demokratike të Kongos, një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar rreth gjashtë muaj më parë.
Që prej asaj kohe, në vend janë regjistruar më shumë se 11 mijë raste të konfirmuara dhe rreth 5,400 viktima. Sëmundja është përhapur në 67 zona shëndetësore, në tetë provinca të vendit.

