Editorial / A do ta ndjek edhe AKI rrugën e VLEN-it për bashkim?

Nga admin
796 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 Mars, Zhurnal.mk – Vite më parë, politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut ankoheshin për numër tejet të madh të partive politike shqiptare në vend, të cilat siç thuhej asaj kohe shkaktonin humbje/djegie votash të partive të vogla, dhe humbje ulësesh të shqiptarëve në parlament.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, u bë një lëvizje e që shpresohej se kjo ankesë e disa liderëve të merrte rrugë për të mirë dhe në shërbim të kësaj ideje.

Nga kjo ankesë, përkatësisht thirrje, u formuan dy grupe, dy koalicione: VLEN dhe AKI.

Partitë e VLEN-it e bënë këtë hap të parat.

AKI e bëri në fakt më vonë, si kundër-hap ndaj frikës së bashkimit të partive të VLEN-it dhe rritjes së fuqisë së tij tek votuesit si grup i bashkuar partish.

Me formimin e këtyre dy koalicioneve përfituan shqiptarët dhe në zgjedhjet e 2024 morën numër total të ulëseve në kuvend 29 (deputetë).

Dështimi në AKI

Pas zgjedhjeve komunale tash përsëri në grupin, apo koalicionin AKI, shpërthyen ndasitë. Disa prej partive hoqën dorë nga grupacioni me BDI dhe u larguan për të vazhduar rrugëtimin ndaras.

Në të njëjtën kohë, partitë e grumbulluara tek VLEN-i e vazhduan këtë nismë por edhe përtej një koalicioni me qëllim për t’u shndërruar në një parti të vetme, gjë që nuk ishte rasti tek koalicioni AKI i dominuar nga BDI.

Procesi i brendshëm në VLEN, në sipërfaqe duket të jetë punë e kryer. Por a është punë e kryer krejtësisht apo është një proces ende në zhvillim e sipër?

Ajo që i ndodhi koalicionit AKI, pra rikthimi në të kaluarën, deri diku edhe mund të jetë e kuptueshme nëse shikohet kohëzgjatja e disa prej këtyre partive. Këtu mund të bëhet përjashtim Partia Demokratike Evropiane e Arjanit Hoxhës, e para disa jave u integrua plotësisht në strukturat e BDI-së, ndërsa të tjerët sikur ende ndodhen në hamendje për një hap të tillë.

Zhvilimet në VLEN

Kur partitë politike dhe krerët e tyre përgjatë kohës krijojnë emër para publikut, është e kuptueshme që shkrirja dhe shndërrimi në një emër të ri, parti të re politike, iu shkakton telashe pikërisht të njëjtëve politikanë, sidomos atyre me karakter e profil individualistësh prej personi.

Disa prej tyre e kanë më të lehtë që të bëjnë këtë hap e disa më të vështirë. Kjo varet edhe nga personaliteti i politikanit e po aq edhe nga ambiciet personale të tyre.

Nëse idea në AKI ishte për t’u përshëndetur, edhe pse ajo nuk pati sukses të plotë sepse nuk zgjati shumë, idea brenda VLEN-it është për t’u mirëpritur pikërisht për shkak të ankesave të para shumë viteve për numrin e madh dhe synimit për bashkim ndër-partiak e ruajtje votash të votuesëve shqiptarë.

Shndërrimi në një parti unike me një strukturë të vetme vendimarrëse, përkatësisht me më pak procedura e pra të thjeshtësuara, është më efikase në të gjitha aspektet, dhe më e fuqishme.

Me fjalë të tjera, kur ka një « zot shtëpie » e jo disa, shumëçka lehtësohet edhe për bisedimet me partnerët e koalicionit qeveritar, por jo vetëm. Një bashkim me një formulë të këtillë e bënë atë me efikas, më të shpejtë e më të respektuar, shkruan zhurnal.mk.

Tejkalimi i ambicieve personale

Të shuash partinë për të bashkuar katër sosh në një parti të vetme nuk është e lehtë. Por është synim i madh, është mbi të gjitha largpamësi me një synim që tejkalon ambiciet personale të individëve.

Kur të gjithë politikanët shqiptarë veç e veç, para publikut, pra votuesëve, thonë se i kanë hyrë politikës për të mirën e të drejtave dhe ambicieve të shqiptarëve për jetë më të mirë, atëherë pse në këtë rrugëtim qenka problem shkrirja në një parti të vetme, nëse në të njëjtën kohë synohet arritja e këtyre rezultateve përmes bashkimit?

Synimet për bashkim, në këtë rast shkrirje të katër subjekteve politike në VLEN në një subjekt të vetëm, për të arritur premtimet e bëra ndaj qyetarëve shqiptarë të vendit, do të duhej të jenë në qendër të synimeve e vëmendjes, dhe krejt krye-fjala e të bërit politikë.

Synimet me interes të përgjithshëm të qytetarëve mund të arrihen më efektshëm përmes unifikimit, e jo të përdoren përmes ambicieve individuale që shkaktojnë dëme ndaj premtimeve që u bëhen votuesëve përditë, shkruan zhurnal.mk.

Matja përmes listave të hapura në zgjedhje

Matja e besimit ndaj secilit, brenda një partie të vetme të shkrirë, apo të ndarë si edhe më parë, e ka një mënyrë se si të bëhet.

Ajo është ndryshimi i ligjit të zgjedhjeve, pra hapja e plotë e listave të kandidatëve, ku votuesit do të kishin mundësi që vet të votojnë për kandidatin për ulëse në kuvendin qendror e në kuvendet komunale.

Nëse ambiciet personale të politikanëve do të dominojnë më shumë sesa interesat e qyetarëve, atëherë të shkrirë brenda një partie të vetme, apo vazhdimi i rrugëtimit me përsëri dhjetëra parti politike, nuk do të mund të arrihet premtimi ndaj qytetarëve me lista të mbyllura zgjedhore, siç është deri më tash.

Secili politikan duhet t’iu jap rastin qyetarëve që ta votojë kandidatin, ose mos ta votojë, përmes hapjes së plotë të listave zgjedhore për kandidatët.

Vazhdimi me lista të mbyllura, pra t’ia japësh votën partisë, e “shefat” e partive të vendosin vet se kush do të ketë ulëse në kuvendin qendror, është shqelmim i së drejtës së qytetarëve për të zgjedhur deputetin/përfaqësuesin e tyre.

Të ndarë e të përçarë jeni më të dobët. Bashkë jeni më të fortë. Le të jetë qytetari votues ai i cili vendos për individin/kandidatin, e jo shefat e partive.

Kjo është demokraci e shëndoshë dhe respekt ndaj qytetarit votues. E kundërta nuk është.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër