Shkup, 5 shkurt, Zhurnal.mk – Të gjithë pajtohemi se në Maqedoninë e Veriut niveli i korrupsionit është i lartë. Biles kryeministri shkoi aq larg kohën e funidt sa tha se korrupsioni është një problem sistematik, i cili i paraqitet Maqedonisë së Veriut dhe prandaj ndodhin katastrofa si ajo e Koçanit dhe shumë probleme të tjera kur u dogj autobusi në Bullgari, spitali në Tetovë apo edhe rasti i autobusit në Llaskarcë. Por, a është e mjaftueshme që kjo të thuhet vetëm deklarativisht, apo duhet të ndërmerren hapa konkret, shkruan “Zhurnal.mk”.
Korrupsioni zakonisht fshihet nën petkun e politikanëve dhe funksionarëve të cilët kanë imunitet ose thënë ndryshe mbrojtje. Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, imunitet kanë Presidenti i Republikës, Anëtarët e Parlamentit, Kryetari dhe anëtarët e Qeverisë, Gjyqtarët, Prokurorët, dhe Anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Republikës dhe Gjykatësit Kushtetuese.
Në Maqedoninë e Veriut, Kryeministrit dhe ministrave të Qeverisë u jepet imunitet, i cili i mbron ata gjatë kohës që janë në detyrë, por vetë Qeveria vendos për imunitetin e Kryeministrit dhe ministrave, shkruan “Zhurnal.mk”.
Është e rëndësishme të dallohet që imuniteti i ministrave dallon nga imuniteti i deputetëve, i cili rregullohet nga Neni 64 i Kushtetutës. Deputetët gëzojnë “paprekshmëri”, që do të thotë se ata nuk mund të ndalohen pa miratimin e Kuvendit, përveç nëse kapen në një vepër penale të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Gjithashtu imuniteti i deputetëve mbron lirinë e fjalës dhe votimit të një deputeti brenda Kuvendit.
Por, përderisa imuniteti ekziston për zyrtarët qeveritarë, kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të ndiqen penalisht. Raste nga e kaluara, të tilla si ato që përfshijnë ish-ministra dhe kryeministra, kanë treguar se parlamenti ose qeveria mund të heqin imunitetin, duke lejuar paraburgimin dhe procedurat penale.
Në historinë e deritanishme, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut u ka hequr imunitetin ish-ministrave që shërbenin si deputetë për të lejuar ndjekjen penale.
Rastet e rëndësishme ku iu hoq imuniteti ose u ndërmorën veprime ligjore përfshijnë janë rasti i Nikolla Gruevski (ish-kryeministër), imuniteti i tij parlamentar iu hoq në vitin 2018 për të lejuar ndalimin e tij në lidhje me raste të shumta korrupsioni, duke përfshirë mashtrimin zgjedhor (“Titanik”), parregullsitë në ndërtimin e autostradave (“Trajektoria”) dhe financimin e paligjshëm të partive (“Taler”). Gjithashtu, Parlamenti ia hoqi imunitetin në vitin 2007 ish kryeministrit Vllado Buçkovski, për shkak të skandalit me prokurimin e armëve nga koha e tij si Ministër i Mbrojtjes.
Ndërsa për sulmin në Parlament në vitin 2017, disa ish-zyrtarë, përfshirë ish-ministrat e kabinetit Spiro Ristovski dhe Mile Janakieski, u përballën me ndjekje penale për rolet e tyre në organizimin e sulmit të dhunshëm në Parlament. Në këtë rast, gjykata urdhëroi ndalimin e tyre. Edhe Mitko Çavkov, ish-Ministër i Brendshëm u dënua me burg për “rrezikim të rendit kushtetues” të lidhur me protestat e vitit 2017, pasi ai ishte përgjegjës për sigurinë publike gjatë trazirave, shrkuan “Zhurnal.mk”.
Nëse merret për shembull shteti fqinj Greqia, atje së fundmi kryeministri grek propozoi të rishikohet imuniteti ligjor i ministrave dhe garantimin e “punës për jetë” për punonjësit e sektorit shtetëror. Në Greqi, vetëm parlamenti mund të hetojë ministrat ose të heqë imunitetin e ligjvënësve, sipas kushtetutës së vitit 1975, e cila është rishikuar katër herë.
Në momentin që ministrat futen nën petkun e imunitetit, ata fillojnë të ndjehen më të fuqishëm, më të paprekur dhe e konsiderojnë veten se mund të bëjnë gjithçka që duan.
Prandaj në këtë drejtim, Qeveria duhet të mendojë nëse është e nevojshme që të reduktohen kompetencat diskrecionare të ministrave, një iniciativë që duhet të parandalojë krijimin e një imazhi të ministrave të korruptuar.
Nëse duam të kemi një fushatë kundër korrupsionit, atëherë duhet rekomandime dhe vendime specifike se si të eliminohet subjektivizmi në vendimmarrjen e mbajtësve të funksioneve publike. Qeveria gjithashtu duhet të shmangë çdo veprim për të ashtuquajturat marrëveshje të drejtpërdrejta ose marrëveshje ballë për ballë, të cilat hapin hapësirë për abuzimet më të mëdha.
Prandaj, çështja që duhet të diskutohet është pse anëtarët e qeverisë duhet të kenë imunitet, kur kemi parasysh se një anëtar i qeverisë duhet të zbatojë ligjet, dhe pse duhet të kërkojë imunitet nëse ka kryer ndonjë abuzim. Nëse qeveria kërkon që të çrrënjosë korrupsionin atëherë kryeministri Mickoski duhet urgjentisht që të largojë imunitetin e ministrave dhe t’i lë ata më të zhveshur dhe me më shumë frikë ndaj respektimit të ligjit, shkruan “Zhurnal.mk”.

