Shkup, 16 mars, Zhurnal.mk – Dhuna nga tifozët maqedonas ndaj të rinjve shqiptarë ka filluar të rikthehet sërish. Përveç fyerjeve nëpër stadiume, tani tifozët maqedonas duket se janë “krekosur” më shumë dhe kanë marrë guxim që edhe nëpër rrugët e qyteteve të sulmojnë të rinjë shqiptarë të pafajshëm.
Një sulm i tillë ka ndodhur së fundmi gjatë mbrëmjes së kaluar në qytetin e Tetovës kur një grup prej mbi 20 personash, pjesëtarë të grupit të tifozëve maqedonas “Vojvodët” kanë sulmuar disa të rinjë në qendër të Tetovës, shkruan “Zhurnal.mk”.
Edhe një ditë më pas sulmit, Ministria e punëve të Brendshme dhe policia ende nuk kanë dal me një deklaratë për këtë të incident të ri ndëretnik.
“Vojvodët” po ndjellin frikë nëpër Tetovë!
Përveç sulmit të mbrëmshëm në Tetovë, grupi i tifozëve maqedonas “Vojvodët” në shtator të vitit të kaluar kishin rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët kishin pësuar lëndime trupore. Dy nxënësit e sulmuar kishin sqaruar se janë sulmuar nga rreth 20 tifozë të “Teteksit”. Ata thanë se fillimisht ishin sharë në gjuhën maqedonase dhe më pas janë rrahur keq.
Pas këtij sulmi, dy nxënësit 15 dhe 17 vjeçar ishin dërguan në Spitalin e Tetovës ku janë konstatuar lëndime në fytyrë, ose më saktësisht 17 vjeçari ka qenë me frakturë të eshtrave të hundës, ndërsa 15 vjeçari ka plasaritje të eshtrave të hundës, lëndime të konstatuara.
Edhe pse policia atëherë kishte njoftuar se do të procesuojë rastin dhe do t’i ndëshkojë ata që janë përfshirë në këtë sulm, deri më tani nuk ka pasur asnjë epilog.
Tani, pas disa muajve, ndoshta grupi i njëjtë, vazhdon të sulmojë të rinjë të tjerë, dhe policia çuditërisht deri në këto momente të këtij shkrimi ende nuk ka dhënë ndonjë sqarim se për çfarë bëhet fjalë.
Gjuhë urrejtje dhe sulme të tifozëve maqedonas edhe nëpër stadiume
Në muajin gusht të vitit të kaluar, ishte rikthyer sërish gjuha e urrejtjes dhe gjuha ksenofobe e tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve. Në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila ishte zhvilluar në Kumanovë, ishin dëgjuar brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Ajo që e kakarterizoi këtë incident ishte fakti se këto fyerje u bënë në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili së bashku me kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror ishin të pranishëm në sallën ku luhej ndeshja.
Tifozët nuk e kishin brengë prezencën e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, për t’i rikthyer parullat famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”.
Gjithashtu, në nëntor të vitit të kaluar, në ndeshjen Pobeda – Shkëndija e Haraçinës sërish kishte thirrje skandaloze. Tifo-grupi i Pobedës që quhen “Majmuni” nga Prilepi vazhdimisht kishte thirrur “Dhoma gazi për shqiptarët”. Përveç thirrjeve në bazë nacionale nga tifozët vendas, në fund kishte edhe sulm fizik nga një tifoz i Pobedës në zhveshtoren e futbollistëve mysafirë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Policia të merr masa ndaj dhunuesve sa nuk është bërë vonë!
Dhuna nga ana e tifozëve maqedonas ka qenë vazhdimisht e shfaqur nëpër terrene sportive dhe jashtë saj. Para disa viteve, tifozët maqedonas në Shkup vazhdonin të rrihnin të rinjë shqiptarë gjithandej ku i gjenin, por kjo dukuri ngadalë u qetësua dhe u mbajt nën kontroll.
Megjithatë, me ndërrimin e pushtetit dhe thirrjeve të politikës maqedonase se “duhet t’ua kthejmë Maqedoninë maqedonasve” duket se kanë ndikuar që tifozët maqedonas të marrin guxim, forcë dhe vullnet që të shfaqin dominancë në terren dhe nëpër rrugë.
Dhuna e mbrëmshme në Tetovë dhe ato raste që janë duke ndodhur në muajt e fundit duket se janë një alarm i madh për bashkëjetesën dhe për sigurinë e qytetarëve shqiptarê në këtë vend.
“Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër” – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane, dhe të cilat nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk mund të tolerohen.
Andaj duhet një hetim urgjent të incidentit nga MPB dhe Prokuroria Publike, sanksione ndaj atyre që kërcënojnë dhe shpërndajnë tmerr nëpër rrugët e qytetit, sepse çdo vonesë e policisë mund të nxit kundër-reagim nga tifozët shqiptarë dhe kjo mund të shkaktojë një incident edhe më të madh, mos dhashtë Zoti edhe me pasoja fatale.
Sporti duhet të jetë urë lidhëse mes njerëzve, vend i garës së ndershme dhe i respektit të ndërsjellë, dhe jo platformë për përhapjen e urrejtjes apo përçarjes.
Fenomenet që nxisin ndasi në baza etnike nuk kanë vend as në sport e as në jetën publike të kësaj shoqërie.
Prandaj institucionet kompetente, federatat sportive, por mbi të gjitha politikanët dhe drejtuesit shtetëror duhet të dalin hapur dhe pa vonesë me dënim të dhunës dhe të ndërmarrin masa konkrete ndaj çdo akti që cenon bashkëjetesën ndëretnike.
Në të njlëjtën kohë, ajo që është shumë e rëndësishme është se asnjë nga mediat maqedonase nuk merret me trajtimin e kësaj dhune. Ato heshtin tani kur rrihen të rinjtë shqiptarë, por nëse do të ndodhë e kundërta, atëherë ngritet “alarmi i kuq” dhe kjo në opinionin publik do shfaqej si dhunë nga shqiptarët, pa treguar se ku janë fillet e kësaj dhune.
Prandaj, nëse brenda orëve të ardhshme nuk identifikohen dhe të ndëshkohen autorët e këtij sulmi, çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike, shkruan “Zhurnal.mk”.
