Shkup, 4 shkurt, Zhurnal.mk – Edhe pse kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet lokale, partitë shqiptare në Qeveri ende nuk po arrijnë të merren vesht se kush do të jetë personi i cili si lider do të udhëheqë në aspektin formal me VLEN-in. Edhe pse vazhdimisht trumbetohet se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyer brenda katër partive kryesore që formojnë VLEN-in, sërish asnjëri prej këtyre të tyre nuk del nga sedra e tij për të gjetur një zgjidhje se kush do të jetë lider i kësaj partie, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në takimin e liderëve që u thirr nga kryeministri Mickoski, VLEN-in e përfaqësoi Bilall Kasami, kryetar i BESË-s, por, menjëherë pas disa ditëve në media, kryetari i LD-së, Izet Mexhiti tha se pikërisht ka qenë ai i cili ka thënë se Bilall Kasami të shkojë në takimin e liderëve. Kjo menjëherë në sytë e opinionit hap pzetjet se kush çkfarë është, kush është njëshi, kush jep urdhëra dhe kush – kur paraqitet.
Gjithashtu ish-kryetari i Alternativës, Zeqerija Ibrahimi, kur dha dorëheqje nga partia e tij, tha se VLEN-it ia ka lënë propozimin në tavolinë se cila është zgjidhja për kryetar të VLEN-it. Pa treguar se cila është zgjidhja, në opinion u aludua se ai mbështet teorinë e rotacionit të kryetarëve, ose duke bërë që katër liderët aktual të partive politike që përfaqësojnë VLEN-in të jenë në një farë forme në pozita të larta, kryetyarë, zëvendës kryetarë, sekretarë etj. Një zgjidhje që ofrohet është edhe funksionimi me bashkëkryetarë. Çfarë do të thotë kjo, as vetë brenda parties nuk e kanë të qartë!
Por, brenda VLEN-it konsiderojnë se që të gjithë liderët janë në një linjë dhe se secili prej liderëve ka peshën e vetë, secili ka kontributin e vetë, secili ka një bagazh të madh politik dhe prandaj është e rëndë për ta zgjedhur një si të tillë.
Edhe pse publikisht vazhdidimisht thuhet se cilido qoftë kryetar i partive politike që do të zgjidhet kryetar i VLEN-it, nuk do të ketë probleme dhe do të jetë i pranueshëm nga të gjithë, sërish në realitet nuk është ashtu siç thuhet.
Beteja reale në terren bëhet midis dy grupimeve, atë të Izet Mexhitit dhe atë të Bilall Kasamit, ndërsa Alternativa dhe ASH-ja e Arben Fetahut nuk duket se janë favoritë për titullin e liderit. Edhe Bekim Qoku, si përfaqësues i Vetvendosjes dhe si kryetar i grupit parlamentar, sërish nuk duket se mund të ketë ndonjë ndikim të madh, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kjo shtyrje pa kufi e zgjedhjes së liderit mund të ketë pasoja të mëdha në ecjen e mëtutjeshme politike për VLEN-in.
Kryeminsitri Mickoski, edhe pse thotë se ka bashkëpunim korrekt me partnerin e tij të koalcionit, sërish herë pas herë hedh thumbime se “nuk mund t’i pajtojë gjithmonë liderët e VLEN-it”. Në një farë forme, Mickoski e ulë poshtë vlerën e partnerit shqiptar dhe mundohet që të luajë me formulën “përça e sundo”.
Përveç kësaj pjese, mosmarrëveshjet ndodhin shpesh kur duhet të vendoset për një kuadër të caktuar. Për shkak se nuk mund të merren vesht partitë së bashku, shpesh ndodhin vonesa në emërimin e drejtorëve, në emërimin e kuadrove dhe nëpër punësime të ndryshme. Kjo dëmton ndikimin e VLEN-it në qeveri dhe krijon përshtypjen se asgjë nuk është duke funksionuar.
Fatkeqësisht, nga historia është e qartë se shqiptarët gjithmonë kanë dështuar kur ka ardhur puna të vendoset se kush do të jetë i pari. Edhe pse gjithmonë janë afruar punët deri në pikën sa të kryhet me sukses një punë e madhe, ata për shkak të egove të tyre, inateve personale dhe “kapuçit të madh”, e kanë prishur të gjithë konceptin.
Prandaj, për të mos lejuar të përsëritet kjo histori e dhimbshme, për të mos lejuar të përsëritet thënia e Gjergj Fishtës se “ma zorr mblidhen dy shqiptarë sesa mblidhet një thes me pleshta”, kryetarët e partive politike brenda VLEN-it duhet të mblidhen urgjentisht e të diskutojnë hapur se kush do jetë i pari i tyre që do t’i prij këtij karvani, shkruan “Zhurnal.mk”.

