Editorial/ Mos të krijojmë armiq të rinj – mjafton të zgjidhim çështjet e hapura!

Nga Xh M
1,651 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 qershor Zhurnal.mk – Protestat në Shqipëri sigurisht se kanë impaktin edhe në Maqedoninë e Veriut. Deshtëm apo nuk deshtëm, politika në Ballkan është e ndërthurrur dhe populli thotë “ajo që ndodh në fqinj, prite edhe në shpi”. Kësaj radhe ka shumë të rinjë shqiptarë që kanë udhëtuar nga Kosova e Maqedonia e Veriut drejt Tiranës për të mbështetur protestat, por ka edhe shumë prej tyre që janë kundër kësaj proteste. Politikanët tanë kanë filluar të ndajnë qëndrimet e tyre me atë që po ndodh në Shqipëri, por është shumë e rëndësishme që gjatë deklarimeve të tyre, mos të krijojmë armiq të ri dhe të fokusohemi në zgjidhje të problemeve që i kemi, shkruan “Zhurnal.mk”.

Ahmeti për protestat: Ata në sheshin e Tiranës kanë rënë në grackën e armiqve të Shqipërisë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e tij në kuvendin zgjedhor të partisë në Butel, foli edhe për protestat në Shqipëri. Ahmeti tha se “armiqtë e kombit po përpiqen të krijojnë pasiguri”. Ai theksoi gjithashtu se këto protesta po ndikojnë në industrinë më të madhe të Shqipërisë – turizmin.

“Ka disa ngjarje, zhvillime edhe në Shqipëri. Shohim se këtu Shqipëria, nga këto protesta që nuk dinë ku u është koka, po pëson dy goditje. Goditje të forta.

Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Turizmi është i prekur. Nga erdhi fushata e parë? Nga Greqia, meqenëse turizmi kërcënohet nga Shqipëria, kërcënohet edhe në Greqi. Një vend fqinj nuk duhet të mendojë kështu për fqinjin e tij, por ja çfarë ndodhi, deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia. Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate? Në Beograd? I njëjti që po bën fushatë për protestat në Serbi po bën fushatë për protestat në Shqipëri”, tha mes tjerash Ahmeti.

Ai vazhdoi duke thënë se dikush mund të ngrihet dhe të thotë: Ali Ahmeti mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe Shqipëria vuan. Ajo preket. Dega kryesore e industrisë, turizmiç dega kryesore, investimet e huaja dhe vendase. Mos mendoni se nuk ka pasoja për investitorët vendas, e lëre më për ata të huaj. Sepse asnjë investitor vendas nuk rrezikon kapitalin e tij aty ku ka pasiguri.

Dhe kush po përpiqet të krijojë pasiguri në Shqipëri? Armiqtë e kombit shqiptar. Nuk po them që këta njerëz dolën atje, ata janë armiq, ata ranë në kurthin e armiqve, pa analizuar dhe studiuar siç duhet pasojat që shkaktojnë mbi kombin, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë – tha Ahmeti.

Mos të krijojmë armiq të ri!

Nëse analizojmë deklaratën e Ahmetit, aty përmendet direkt Greqia, si një inicues dhe mbështeteës i protestave. Ngjashëm kishte deklaruar edhe Edi Rama, por në rastin e kryeministrit të Shqipërisë, ai mund të flasë me këtë gjuhë nëse ka fakte, sepse i takon atij që ta mbrojë shtetin dhe qeverinë e tij.

Por, politikanëve në Maqedoninë e Veriut nuk u takon të flasin me gjuhë të urrejtjes. Politika është një art shumë i mprehtë, dhe çdo fjalë që del pa u kontrolluar mund të ketë pasoja në politikbërje.

Edhe në Serbi ka protesta të vazhdueshme, por askush nga politikanët e vendit nuk ka dalë e të deklarojë se filan shteti është fajtor për këto protesta, dhe filan shteti dëshiron ta shkatërrojë qeverisjen e Serbisë.

Maqedonia e Veriut ka një problem aktual madhor me Bullgarinë, dhe nuk është në gjendje të ballafqohet edhe me probleme dhe bllokime nga shtetet tjera.
Është fakt se Greqia e bllokoi për 30 vite rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në NATO, por tani është një nga shtetet që e mbështet integrimin e vendit drejt BE-së.

Nëse vazhdojmë të mos i masim fjalët, atëherë përveç Bullgarisë, edhe Greqia mund të bëhet një shtet bllokues i Maqedonisë së Veriut, por edhe i Greqisë në rrugën e integrimit drejt BE-së.

Vendi ka nevojë për miq, e jo për armiq. Populli thotë “gjuha ndreq, e gjuha prish”, prandaj më mirë të ndreqim punët se të krijojmë armiq të ri, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër