Shkup, 30 qershor – Nëse analizohet puna e universiteteve duket se ato janë kthyer në fabrikë diplomash dhe jo vatra të dijes. Në ditët e sodit i çmendur konsiderohet ai që mëson, e i aftë ai që kalon pa mësuar! Kjo për faktin se profesorët të korruptuar dhe të mashtruar nga përfitimet materiale, në fund i japin notë kaluese dhe e barazojnë edhe atë që mëson, edhe atë që nuk mëson. Kjo dukuri duhet të çrrënjoset menjëherë, sepse i la rininë të paaftë dhe anti vlerat u bënë vlera, shkruan “Zhurnal.mk”.
Arrestohet profesoresha në Shtip pasi mori ryshfet 300 euro
Një profesoreshë 39-vjeçare në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip është arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti. Sipas njoftimit të policisë, studenti K.B. (26), shtetas i Turqisë me qëndrim të përkohshëm në Shtip, kishte denoncuar më 22 qershor se profesoresha i kishte kërkuar 300 euro për ta kaluar provimin, të cilin duhej ta jepte sërish më 29 qershor.
Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në Shtip, policia i dorëzoi studentit tri kartëmonedha prej 100 eurosh, të përpunuara për nevoja hetimore. Profesoresha u arrestua menjëherë pasi mori paratë.
Ajo është ndaluar në stacion policor, ndërsa paratë janë sekuestruar. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj saj do të parashtrohet kallëzimi përkatës penal, përcjell Zhurnal.mk.
Asnjë universitet në listën e 2000 më të mirëve në botë!
Në listën më të fundit “Global 2000” të Qendrës për renditjen e universiteteve botërore, nuk është renditur asnjë universitet i Maqedonisë së Veriut. Kjo është nj ëtregues se në çfarë derexhe ka rënë çështja e arsimit të lartë, prodhimit shkencor dhe dukshmërisë ndërkombëtare të universiteteve vendase.
As universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend, Universiteti Shën Kirili dhe Metodi në Shkup nuk është në listë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse në vitet e mëparshme, ky universitet ishte i vetmi përfaqësues nga Maqedonia midis 2.000 universiteteve më të mira në botë. Në vitin 2024, UKM ishte në vendin e 1.990-të, por në vitin 2025 ra nga kjo renditje.
Universiteti më i mirë i renditur nga vendet e ish-Jugosllavisë është Universiteti i Beogradit, i cili renditet në vendin e 393-të. Universiteti i Lubjanës është në vendin e 444-të, dhe Universiteti i Zagrebit është në vendin e 522-të. Në listë ka edhe tre universitete të tjera nga Serbia, dy të tjera nga Kroacia dhe një nga Sllovenia.
Renditja bazohet në katër kritere: cilësia e arsimit, punësimi i të diplomuarve, cilësia e stafit mësimdhënës dhe rezultatet e kërkimit. Qendra deklaron se nuk mbështetet në anketa ose të dhëna të ofruara nga vetë universitetet, por në tregues të matshëm dhe baza të dhënash të mëdha.
Kjo renditje është një fakt se universitetet e Maqedonisë së Veriut janë shumë të dobëta dhe kjo paraqet një sinjal të problemeve më të thella: prodhim i pamjaftueshëm shkencor i njohur ndërkombëtarisht, prani e kufizuar në rrjetet globale të kërkimit, transferim i dobët i njohurive në ekonomi dhe strategji e pamjaftueshme institucionale për zhvillimin akademik.
Fatkeqësisht kjo është një tregues se arsimi i lartë trajtohet si një politikë zhvillimi apo si sistem që mbijeton pa një strategji të qartë, financim serioz dhe qëllime akademike të matshme, shkruan “Zhurnal.mk”.
Korrupsioni e mbyti shkencën dhe dijen
Në listën e 2000 universiteteve më të mira në botë nuk gjendet asnjë nga universitetet në gjuhën shqip në Maqedoninë e Veriut dhe ata të Kosovës ose Shqipërisë. Ky fakt na bën të mendojmë se shqiptarët nuk e duan arsimin dhe shkencën. Fatkeqësisht, janë profesorët dhe politika që po e shkatërrojnë çdo ditë e më shumë nivelin e arsimit. Profesorët korruptohen lehtë dhe shumë lehtë pranojnë që në shkëmbim të parave t’iu japin nota pozitive studentëve. Këta studentë, pastaj po bëhen funksionarë, drejtorë, ministra… e kështu fara e dëmit të shkaktuar që në arsimin e mesëm dhe të lartë, po shpërndahet edhe në politikë dhe në jetën tonë. Një student që ka kaluar me korrupsion, ai mendon se gjitha punët bëhen me korrupsion, kështu që në jetën dhe punën e tij në të ardhmen, korrupsioni do të jetë primarja dhe veprimi kryesor. Kështu që anashkalohet ai që ka vlera, dhe i jepet përparësi anti-vlerave, manipulimit dhe korrupsionit.
Andaj, profesorët duhet të kenë shumë kujdes, sepse kanë marrë përsipër një amanet të lartë, janë edukatorët e një shoqërie dhe një klase të ardhshme politike. Populli me të drejtë thotë: “Nëse mbjell therra, therra do të gjesh, e nëse mbjell lule, lule do të mbijnë”. Prandaj, të mbjellim lule që do të lëshojnë aromë të këndshme, përpara se të mbjellim therra që më pas do t’ua shohim sherrin!, shkruan “Zhurnal.mk”.
