Shkup, 5 maj, Zhurnal.mk – Në vitn 2024 çdo i pesti qytetar i Maqedonisë jetonte nën pragun e varfërisë, tregojnë të dhënat përfundimtare të Entit Shtetëror të Statistikës, sipas të cilave shkalla e varfërisë para dy vitesh ishte 21,9 për qind.
Këto të dhëna pasqyrojnë edhe nivelin e perspektivës së dobët që mund të jetë brenda vendit.
Mbase këto të dhëna japin edhe përgjigjen e pyetjes pse eksodi masiv ka marrë aq shumë hov në dekadën e fundit, shkruan Zhurnal.mk
Derisa nuk ndryshon statusi ekonomik vështirë të ndryshojë ai social
Një shoqëri ku një pjesë e madhe e qytetarëve jeton nën pragun e varfërisë, nuk mund të pretendojë zhvillim të qëndrueshëm social. Të ardhurat e pamjaftueshme e kufizojnë qasjen në arsim cilësor, shëndetësi, kulturë dhe mundësi të barabarta.
Kjo krijon një cikël të mbyllur ku varfëria ekonomike prodhon varfëri sociale, duke e bërë të pamundur ngritjen e standardit të jetesës dhe integrimin e plotë të individëve në jetën publike.
Nëse nuk ka reforma të thella që adresojnë pabarazinë ekonomike, shoqëria mbetet e fragmentuar dhe e pa konsoliduar mirë.
Politikat sociale pa bazë ekonomike solide janë vetëm mburojë e përkohshme, jo zgjidhje afatgjatë.
Prandaj, ndryshimi i statusit social është i kushtëzuar nga ndryshimi i statusit ekonomik. Pa rritje të të ardhurave, pa punësim dinjitoz dhe pa shpërndarje më të drejtë të pasurisë, shoqëria do të vazhdojë të mbetet e bllokuar në një gjendje stagnimi dhe pabarazie.
Çfarë thonë të dhënat?
Të dhënat e Statistikës tregojnë se më kritike është gjendja te familjet me shumë anëtarë dhe te prindërit e vetëm.
Te familjet me dy të rritur dhe tre ose më shumë fëmijë në ngarkim, shkalla e varfërisë është 54,8 për qind, ndërsa te prindërit e vetëm 45,8 për qind.
Varfëria godet fort edhe më të rinjtë te fëmijët deri në 17 vjeç është 29,5 për qind. Ajo që shqetëson më shumë është se pa transferet sociale dhe pensionet, shkalla e varfërisë pothuajse do të dyfishohej, pra do të arrinte në 39,4 për qind.
Statistikat tregojnë se 7,9% e të punësuarve janë të varfër, ndërsa 45,7% e të papunëve. Edhe pse varfëria te të punësuarit në vitin 2024 është paksa në rënie krahasuar me vitin 2023, shqetësuese mbetet se 12 për qind e pensionistëve janë të varfër. Përqindja është rritur krahasuar me vitin 2023, pavarësisht rritjes lineare prej 2.500 denarësh që morën pensionistët.
Të dhënat statistikore për shpërndarjen e pasurisë tregojnë se koeficienti Gini, si masë e pabarazisë, është 29,2 për qind. Ndërsa 20% nga më të pasurit e qytetarëve kanë të ardhura 5,2 herë më të larta se 20% nga më të varfrit e popullsisë.
Shtet pa politika sociale
Ky realitet nuk është thjesht pasojë e krizave të përkohshme, por një fenomen strukturor edhe permanent që është evident gjatë kohë më parë në vendin tonë. Mungesa e politikave sociale efektive e lë shoqërinë të pambrojtur, ndërsa ekonomia e zbut përkohësisht goditjen pa ofruar zgjidhje afatgjatë. Heshtja e qytetarëve, mungesa e revoltës dhe e protestës nuk janë shenjë e kënaqësisë, por e dorëzimit përballë një sistemi që nuk ofron shpresë.
Varfëria është një plagë e hapur që prek çdo të pestin qytetar. Pa reforma të thella dhe pa një vizion të qartë për barazi sociale, vendi rrezikon të mbetet i ngujuar në një cikël të pafund varfërie, pabarazie dhe emigrimi.
Ky është një alarm i qartë për politikëbërësit se varfëria nuk është statistikë, por realitet i përditshëm që kërkon zgjidhje urgjente.
Në të kundërtën vendi për një kohë jo të gjatë do të përballet me pasoja të mëdha dhe me kriza edhe më të thella, nga kriza ekonomike në krizë për banorë e popullsi. /Zhurnal.mk
