Ekstremet klimatike po bëhen provë për infrastrukturën

Nga Xh M
802 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 gusht Zhurnal.mk – Maqedonia ndodhet në një periudhë temperaturash jashtëzakonisht të larta. Vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, kur temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Moti i nxehtë do të shoqërohet me rrezik të shtuar nga zjarret dhe me ngarkesë shtesë për rrjetin elektroenergjetik. Institucionet kompetente u bëjnë apel qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të respektojnë rekomandimet për mbrojtje nga temperaturat e larta.

Ndërkohë, Evropa dhe Ballkani këtë verë po përballen sërish me pasojat e kushteve ekstreme të motit. Valët e gjata të të nxehtit, të shoqëruara me stuhi intensive, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, pasi atmosfera më e ngrohtë mban më shumë lagështi dhe krijon kushte për zhvillimin e stuhive të fuqishme.

Meteorologët shpjegojnë se këto dukuri janë rezultat i përplasjes së ajrit jashtëzakonisht të nxehtë, të akumuluar gjatë valëve të zgjatura të të nxehtit, me masat më të ftohta ajrore që depërtojnë nga perëndimi dhe veriperëndimi. Kjo krijon një atmosferë të paqëndrueshme, me potencial për erëra mbi 100 km/h, breshër të madh, reshje intensive brenda një periudhe të shkurtër dhe përmbytje lokale.

Përveç ndikimit në shëndetin e njerëzve dhe në mjedis, këto fenomene ekstreme paraqesin një sfidë serioze edhe për infrastrukturën.

Maqedonia ishte ndër vendet më të goditura në Ballkan nga stuhitë e fuqishme gjatë muajit korrik. Në Shkup dhe në vendbanime të tjera u regjistruan pemë të rrëzuara, çati dhe objekte të dëmtuara, rrugë të bllokuara, ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, automjete të dëmtuara dhe qytetarë të lënduar.

Në kushte të tilla, operatorët energjetikë forcojnë gatishmërinë, intensifikojnë monitorimin e rrjetit dhe angazhojnë ekipe shtesë për sanimin e shpejtë të defekteve. Temperaturat e larta ndikojnë edhe në vetë infrastrukturën elektroenergjetike – transformatorët, kabllot dhe impiantet e tjera elektroenergjetike punojnë në kushte me mundësi të reduktuara për ftohje natyrore.

Njëkohësisht, me rritjen e temperaturave rritet edhe përdorimi i pajisjeve të klimatizimit, gjë që shton ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike dhe ngarkon edhe më shumë rrjetin.

Temperaturat e larta ndikojnë edhe në infrastrukturën rrugore. Kur temperatura në sipërfaqen e asfaltit arrin vlera shumë të larta – shpesh mbi 60 gradë Celsius – asfalti zbutet dhe bëhet më i ndjeshëm ndaj deformimeve, veçanërisht në segmentet me qarkullim të dendur.

Në rrugët më të vjetra ose tashmë të dëmtuara mund të shfaqen gjurmë të rrotave, valëzime, deformime lokale dhe dëmtime të tjera.

Qendra për Menaxhimin e Krizave monitoron çdo ditë situatën dhe publikon raporte për zjarret në mbarë vendin. Kombinimi i temperaturave të larta, thatësirës së zgjatur dhe erës e rrit ndjeshëm rrezikun nga zjarret pyjore dhe zjarret në hapësira të hapura, të cilat, përveç dëmeve të mëdha në pyje, sipërfaqe bujqësore dhe mjedis, mund të rrezikojnë edhe infrastrukturën elektroenergjetike, sistemet e telekomunikacionit dhe rrjetin rrugor.

Shkencëtarët paralajmërojnë se jo çdo valë e të nxehtit mund t’u atribuohet drejtpërdrejt ndryshimeve klimatike. Megjithatë, sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), ngrohja globale po bën që këto fenomene ekstreme të motit të bëhen gjithnjë e më të shpeshta, më intensive dhe më afatgjata.

Për Maqedoninë, kjo do të thotë se në investimet e ardhshme do të jetë gjithnjë e më e rëndësishme që infrastruktura të projektohet dhe modernizohet për të qenë më rezistente ndaj temperaturave ekstreme – përmes forcimit të rrjetit elektroenergjetik, menaxhimit më të mirë të burimeve ujore, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve dhe hekurudhave më të qëndrueshme, si dhe zbatimit të zgjidhjeve që do të zbusin pasojat e ndryshimeve klimatike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër