Muzikanti legjendar Sir Elton John është kontrolluar nga policia italiane në aeroport, para se të nisej me një avion privat nga Sicilia, pas performancës së tij në dasmën e Dua Lipës dhe Callum Turner.
Artisti 79-vjeçar ishte i veshur me një kostum sportiv blu me detaje të kuqe, teksa kalonte nëpër kontrollin e sigurisë dhe shihej duke mbajtur për dore bashkëshortin e tij, David Furnish.
Pak më vonë, ai u ndihmua të zbriste nga një minibus në aeroportin e Palermos dhe u ngjit në bord të një aeroplane privat Bombardier Global 6000, rreth orës 12:30 të së dielës.
Ai shoqërohej nga David Furnish, 63 vjeç, i cili kishte veshur një kostum të verdhë dhe u pa duke bërë foto të këngëtarit ndërsa ai pozonte me stafin në tokë.
Elton John kishte performuar hitin e tij “Your Song” gjatë ceremonisë së dasmës së Dua Lipës dhe Callum Turner, të cilët shkëmbyen betimet në një ceremoni luksoze në Bagheria pranë Palermos, në ishullin italian të Sicilisë.
Mësohet se Elton John dhe stilistja e dasmës së Dua Lipës, Donatella Versace, u larguan menjëherë pas darkës, pa qëndruar për spektaklin e fishekzjarreve. Disa nga të ftuarit më të moshuar janë larguar gjithashtu pak pas mesnatës.
Aeroplani privat ishte marrë me qira përmes kompanisë VistaJet dhe kushtonte rreth 8,000 paund në orë, duke u përdorur për rreth tre orë udhëtim drejt Farnborough, në Hampshire, pranë rezidencës së tij në Windsor.
Sir Elton John kishte mbërritur në Sicili një ditë më parë me një avion të ngjashëm, vetëm një orë para fillimit të ceremonisë, duke bërë që shpenzimet e fluturimeve të arrinin gati 50,000 paund.
Fluturimi i tij drejt Londrës u vonua pak për shkak të trafikut që pengoi mbërritjen e makinës së tij me shofer.
Ndërkohë, Dua Lipa dhe Callum Turner festuan deri në orën 6 të mëngjesit, në një dasmë luksoze me vlerë rreth 1.5 milionë paund, e cila u mbyll me një shfaqje spektakolare fishekzjarrësh prej 10 minutash në Villa Valguarnera.
Çifti, 30 dhe 36 vjeç, organizoi një festë madhështore për rreth 200 të ftuar, ku nuk munguan ëmbëlsirat, vallëzimi dhe detaje romantike që i dhanë ngjarjes një karakter të veçantë. Dasma konsiderohet si një nga më luksozet e vitit deri tani.



