“Emrat e rrugëve në Tetovë”, Mexhiti: Është nga ata që mburren se i zgjodhi Ali Ahmeti në Kushtetuese

Nga R.ZH
624 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve të disa rrugëve në Tetovë, duke deklaruar se institucioni kushtetues po vepron në interes të opozitës, ndërsa përgjegjësinë për situatën ia atribuoi BDI-së.

Në një intervistë për Alsat, Mexhiti tha se problemi qëndron te mënyra se si ishte miratuar vendimi për emërtimin e rrugëve, të cilin e cilësoi si të paligjshëm dhe të papërfunduar.

“Faji është që zgjidhja ka qenë joligjore dhe gjysmake. Po të kishte përfunduar dhe të kishte marrë pëlqimin e qeverive BDI-LSDM ose BDI-VMRO gjatë këtyre 20 viteve, as kjo Gjykatë e instrumentalizuar nuk do të mund ta shfuqizonte këtë vendim, ashtu siç nuk mund ta shfuqizojë pllakën te Sheshi ‘Skënderbeu’, e cila është legale”, deklaroi Mexhiti.

Ai akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po merr vendime për t’i shërbyer opozitës.

“Gjykata është në shërbim të opozitës, për të krijuar probleme, për të krijuar marrëdhënie ndëretnike të komplikuara dhe për të poentuar opozita”, u shpreh Mexhiti.

Në intervistë, bashkëkryetari i VLEN-it u ndal edhe te çështja e provimit të jurisprudencës, duke theksuar se, pavarësisht debateve publike, provimi vazhdon të zhvillohet në gjuhën shqipe gjatë mandatit të ministrit të Drejtësisë, Igor Fillkov.

“Sa i përket zotëri Fillkov i cili ndoshta me deklarata ka dëmtuar, mirëpo atë që s’e kanë bërë ministrat e Drejtësisë shqiptarë, po ndodh pikërisht në kohën kur është zotëri Fillkov, ndërsa VLEN-i imponon që provimi i jurisprudencës të mbahet për herë të parë në gjuhën shqipe”, tha Mexhiti.

Duke folur për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë, Mexhiti bëri të ditur se në kuadër të koalicionit qeverisës janë zhvilluar analiza për performancën e të gjithë ministrave, jo vetëm të ministrave shqiptarë.

“Sot kemi bërë vlerësime jo vetëm të ministrave shqiptarë, por kemi bërë vlerësime edhe të ministrave të VMRO-së, edhe të ministrave tjerë, edhe të partnerit të tretë, për t’i ndarë informatat dhe analizat e dyanshme”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se vendimi përfundimtar se cilët ministra do të vazhdojnë të jenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe cilët do të zëvendësohen do të merret në koordinim me kryeministrin Hristijan Mickoski.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër