30 ditë paraburgim për Gjorgjioskin dhe dy persona të tjerë

Nga Xh M
633 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 qershor Zhurnal.mk – Gjykata Penale pasdite, pas marrjes në pyetje të të dyshuarve për përvetësim në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, vendosi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për tre persona, ndërsa për pesë persona caktoi masën e arrestit shtëpiak.

Në paraburgim 30-ditor dërgohen ish-kryetari i FFM-së, Ilço Gjorgjioski, si dhe dy persona të tjerë me inicialet O.M. dhe Gj.Ç. Arrest shtëpiak u është caktuar N.L., I.P., I.Sh., S.T. dhe K.A., ndërsa masa kujdesi për T.P., J.D., D.J. dhe E.N.

Nga Gjykata Penale informojnë se gjykata duhet të vendosë shtesë për masat ndaj pesë personave që ndodhen në arrati, përkatësisht për caktimin e paraburgimit për dy persona dhe masa kujdesi për tre të tjerë. Në aksionin e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion janë përfshirë 18 persona, prej të cilëve 12 janë arrestuar.

Nga 12 të arrestuarit, Prokuroria kërkoi paraburgim për tetë persona dhe masa kujdesi për katër të tjerë. Ata dyshohen për përvetësim të më shumë se 180 milionë denarëve në FFM.

Si rezultat i një procedure shumëvjeçare parahetimore lidhur me FFM-në, dje, nën udhëheqjen e një prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në koordinim me Drejtorinë e Policisë Financiare dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, u kryen kontrolle në shtëpi, objekte afariste dhe ndaj personave në disa lokacione në Shkup. Gjatë aksionit u privuan nga liria 12 persona, mes tyre edhe ish-kryetari i FFM-së, Ilço Gjorgjioski, ndërsa pesë persona aktualisht janë të pa kapshëm për organet e ndjekjes.

Muamed Sejdini u arrestua në prill të këtij viti dhe iu caktua paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të përvetësimit në shërbim me mjete financiare të lidhura me ndërtimin e tribunës së stadiumit “Biljanini Izvori” në Ohër.

Aksioni është rezultat i një kallëzimi penal të paraqitur më herët kundër tre personave të punësuar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, drejtuesve, pronarëve dhe personave të autorizuar të subjekteve juridike, si dhe kundër vetë personave juridikë, për shkak të dyshimeve për kryerjen e disa veprave penale dhe përvetësimin e 2,4 milionë eurove.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër