Ervin Demo reagon për protestën në Tiranë: Dhuna nuk justifikohet, ligji është i barabartë për të gjithë, respekt për protestën paqësore

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 tetor Zhurnal.mk – Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar pas dhunës së regjistruar gjatë protestës së djeshme në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private.

Ai theksoi se çdo akt dhune duhet të hetohet dhe përgjegjësit të përballen me ligjin, ndërsa nënvizoi se edhe çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës nga policia duhet të hetohet me paanshmëri.

Demo u shpreh se qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët, duke theksuar se protesta paqësore është një e drejtë që duhet respektuar, por dhuna nuk mund të justifikohet apo të përdoret si mjet presioni ndaj institucioneve.

Reagimi i plotë:

Dje, qendra e Tiranës u përball sërish me një valë të rëndë dhune. Persona të maskuar sulmuan punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, mjete piroteknike, shkopinj e sende të forta, dëmtuan institucione publike, shkatërruan dhe plaçkitën prona private, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe të forcave të rendit.

Këto akte nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën paqësore dhe me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës dhe as të përdoren si instrument politik për destabilizimin apo goditjen e institucioneve të vendit.

Përgjegjësia nuk kufizohet domosdoshmërisht tek autorët e drejtpërdrejtë. Çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike apo grupimeve ekstremiste, duhet të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazën e provave.

Për çdo shkelje të ligjit do të kërkohet përcaktimi i përgjegjësisë individuale dhe, sipas rastit, përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private, në përputhje me procedurat ligjore.

Por dua të jem po aq i qartë edhe për një parim tjetër themelor: ligji është i njëjtë për të gjithë, edhe për ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit.

Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri. Pezullimi i punonjësit të Policisë dhe nisja e hetimeve për rastin e të riut të lënduar në sy janë hapa konkretë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive mbi bazën e provave.

Çdo qytetar dhe çdo punonjës policie i lënduar meriton vëmendje, kujdes dhe respekt. Siguria publike është, mbi të gjitha, mbrojtje e jetës dhe e integritetit fizik të njerëzve.

Shpreh mbështetjen dhe mirënjohjen time për punonjësit e Policisë së Shtetit që, në kushte të vështira dhe përballë rrezikut, vijojnë të përmbushin detyrën e tyre. Kjo detyrë kërkon vendosmëri, por gjithmonë profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.

Në Francë, në Itali, në Shqipëri apo në çdo demokraci europiane, parimi është i njëjtë: liria e protestës mbrohet, ndërsa aktet e dhunës trajtohen sipas ligjit.

Qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, por dhuna nuk mund të jetë mjet presioni ndaj institucioneve dhe as të zëvendësojë dialogun demokratik.

Detyra jonë është të garantojmë që çdo qytetar të protestojë i lirë dhe i sigurt, që Policia të ushtrojë autoritetin e saj vetëm brenda kufijve të ligjit dhe që askush të mos qëndrojë mbi të.

Vendosmëri ndaj dhunës.

Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër