Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Fluturimet komerciale në Shqipëri u rritën me 22% në gusht 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke shënuar një nga rritjet më të larta në Europë, sipas të dhënave të Eurostat.
Rritja e aktivitetit ajror në Shqipëri ishte ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, e cila rezultoi 2,3% në gusht.
Në rajon, Shqipëria kryesoi për ritmin e rritjes, e ndjekur nga Mali i Zi me 16,1% dhe Maqedonia e Veriut me 15,8%. Serbia regjistroi rritje prej 3,1%, ndërsa Bosnje dhe Hercegovina shënoi një rënie të lehtë prej 0,2%.
Në nivel europian, Sllovakia regjistroi rritjen më të lartë me 37%, ndërsa rritje të dukshme u shënuan edhe në Estoni me 8,3%, Poloni 7,8%, Slloveni 7,4%, Lituani 6,8% dhe Italia një rritje me 5,7%.
Në disa prej tregjeve europiane numri i fluturimeve ra gjatë gushtit. Rënia më e madhe u regjistrua në Islandë me 5,9%, pasuar nga Austria me 4,7%, Qipro me 3%, Gjermania me 2,4% dhe Holanda me 2%.
Rritja e fluturimeve në Shqipëri u regjistrua gjatë pikut të sezonit turistik veror, periudhë që karakterizohet nga rritje e lëvizjeve të turistëve dhe udhëtarëve ajrorë.
