Rama fton magjistratët: Tryezë e përbashkët për zgjidhje afatgjatë për sistemin e pagave

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama ftoi sot përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor për t’u ulur në një tryezë të përbashkët pune për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Kuvendi miratoi dje ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, që i jep zgjidhje pagave të magjistratëve, ligj që u kundërshtua nga institucionet e pushtetit gjyqësor dhe opozita.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se zgjidhja duhet të garantojë përgjithnjë magjistratët, por po ashtu edhe ekuilibrin e gjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.

Kryeministri theksoi po ashtu se tryeza do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Eficiencën e Drejtësisë.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama: 

“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.

Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.

Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.

E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër