Fabrika dhe investime të reja, në RMV hapen mijëra vende pune

Nga D. V.
680 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 gusht, Zhurnal.mk – Me projekte të reja, kapacitete të reja prodhuese dhe vende të reja pune vazhdon cikli investues në Maqedoni, ndërsa Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE vazhdon të punojë aktivisht për krijimin e kushteve për investime që sjellin prodhim, teknologji moderne, eksport dhe rritje ekonomike afatgjatë, thuhet në kumtesën e partisë në pushtet, VMRO-së.

Në TIRZ Tetovë pritet realizimi i investimit të “Cavo Otomotiv”, një kompani multinacionale me mbi 40 vite përvojë në industrinë automobilistike. Kompania planifikon investim prej rreth 21 milionë euro deri në vitin 2030, me potencial për hapjen e 400 deri 500 vendeve të reja pune dhe eksport vjetor prej rreth 45 milionë euro. Në TIRZ Shkup 1 tashmë ka filluar ndërtimi i fabrikës së “Çagataj Kabllo”, investim me vlerë rreth 6 milionë euro, ku kapaciteti prodhues prej 10.000 metrash katrorë pritet të mundësojë deri në 200 punësime të reja, theksojnë ata.

Shtohet se edhe Kërçova po bëhet qendër për investime të reja dhe teknologjikisht të avancuara, ku ka nisur ndërtimi i fabrikës së kompanisë belge “Avesta Battery and Energy Engineering”, e destinuar për prodhimin e baterive elektronike për automjete.

Interesi investues po zgjerohet edhe në sektorë të tjerë të teknologjisë së lartë, me projekte të “Epsotech” për një qendër kërkim-zhvillim dhe të kompanisë amerikane “Webtec” për prodhimin e frenave për mjete hekurudhore. Veçanërisht me rëndësi është fakti se interesi për investime nuk kufizohet më vetëm në industrinë automobilistike. Një kompani turke dhe një gjermane nga sektori i teknologjive të larta kanë konfirmuar investime me vlerë totale prej rreth 80 milionë euro, me potencial për rreth 1.000 vende të reja pune dhe eksport të përbashkët mbi 200 milionë euro. Gjithashtu, janë përfunduar negociatat me tre kompani të huaja që planifikojnë hapjen e fabrikave në Maqedoni në industrinë automobilistike, teknologjike dhe farmaceutike, ndërsa paralelisht po zhvillohen bisedime edhe me rreth dhjetë kompani nga sektorë të ndryshëm, thonë nga partia në pushtet.

Shtohet se pritet impuls i ri investues edhe në telekomunikacion. “4iG”, e cila mori licencën për operatorin e tretë mobil, planifikon të investojë mbi 100 milionë euro në zhvillimin e operatorit të ri, me ç’rast do të rritet konkurrenca dhe qytetarëve do t’u ofrohen shërbime të reja dhe më shumë mundësi.

Të gjitha këto projekte janë dëshmi se Maqedonia po bëhet gjithnjë e më atraktive për investitorët dhe se ekonomia po ecën drejt diversifikimit më të madh, prodhimit modern dhe sektorëve me vlerë të shtuar të lartë. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të vazhdojë të punojë me kompanitë vendore dhe të huaja për të krijuar kushte që Maqedonia të jetë destinacion konkurrues dhe i dëshiruar për investime të reja, qëndron në kumtesën e partisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër