Fidan: Politikat e Netanyahut, “barrë” për Izraelin, rajonin dhe sigurinë ndërkombëtare

Nga Xh M
929 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Ankara, 11 korrik Zhurnal.mk – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi të premten se politikat dhe qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu përbëjnë barrë për Izraelin, rajonin dhe sigurinë ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

“Nuk janë problem vetëm për ne. Politikat e qeverisë së Netanyahut janë barrë për Izraelin, barrë për rajonin dhe barrë e kërcënim për sigurinë ndërkombëtare”, tha Fidan në një intervistë për gazetën The National, me seli në Abu Dhabi.

Fidan përjashtoi mundësinë që retorika mes Ankarasë dhe Tel Avivit të përshkallëzohet në konflikt të hapur.

“Nuk ka asnjë arsye për një konflikt të hapur”, tha ai, duke shtuar se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan “është një lider i paqes dhe i urtësisë” dhe “nuk do të provokohet për t’u përfshirë në diçka të tillë”.

Ai tha se liderët evropianë kanë filluar ta kuptojnë rrezikun që paraqet Izraeli, por ende nuk kanë gjetur mënyrën për t’u përballur me këtë problem, duke paralajmëruar se përpjekjet për të destabilizuar përparimin në Siri mund ta përkeqësojnë situatën.

Fidan theksoi se vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur nga Rripi i Gazës për shkak të luftës në Gjirin Persik dhe shtoi se nevojitet presion më i madh ndërkombëtar ndaj Izraelit “që palestinezët të marrin më shumë ndihmë humanitare”.

Ai nënvizoi gjithashtu se Turqia ka një pozitë unike për të ndërmjetësuar konfliktet rajonale.

“I njohim të gjithë aktorët dhe dinamikën e çdo konflikti. Prandaj, jemi në pozitën më të mirë për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si mund të ndihmojmë për t’i ndalur ata”, tha ai.

Fidan tha se duhet rikthyer një situatë ku sovraniteti dhe integriteti territorial i çdo shteti respektohen plotësisht.

“Irani prej kohësh ka pretenduar se politika e tij parandaluese e sigurisë justifikon mbështetjen e grupeve aleate në vende të ndryshme, ashtu si Izraeli e justifikon pushtimin e pjesëve të rajonit me argumentin e sigurisë”, tha ai.

“Nëse krijojmë një koncept të ri sigurie që garanton sigurinë, sovranitetin politik dhe integritetin territorial të të gjitha palëve në rajon, atëherë mund t’i themi Iranit se është koha që secili të kthehet në kufijtë e vet”, shtoi Fidan, duke shprehur bindjen se Irani “është mjaftueshëm i pjekur për ta kuptuar këtë realitet”.

“Shpresoj që, nëse arrihet një marrëveshje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit, atëherë mund të fillojmë diskutime të shëndetshme”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër