FIFA del me deklaratë pas pretendimeve se Kupa e Botës është e manipuluar për Argjentinën

Nga D V
1,445 e lexuar
A+ A-
Rivendos

FIFA ka reaguar zyrtarisht pas polemikave që shpërthyen pas fitores dramatike të Argjentinës ndaj Egjiptit në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës 2026.

Kampionët në fuqi përmbysën disavantazhin 2-0 për të fituar 3-2 në Atlanta, falë golave të Cristian Romeros, Lionel Messit dhe Enzo Fernandezit. Megjithatë, ndeshja u shoqërua me polemika të mëdha për disa vendime të gjyqtarëve.

Federata Egjiptiane e Futbollit reagoi ashpër pas takimit, duke kërkuar përjashtimin e gjyqtarit dhe të gjithë ekipit të arbitrimit nga Kupa e Botës. Sipas saj, gjyqtarët kryen “gabime të qarta” dhe refuzuan të rishikonin disa incidente të rëndësishme me VAR.

Dy momentet që shkaktuan më shumë debat ishin anulimi i golit të Mostafa Zikos, pasi VAR evidentoi një faull ndaj Lisandro Martinez në fillim të aksionit, si dhe pretendimi i Egjiptit për një penallti ndaj Mohamed Salahut pak para golit vendimtar të Enzo Fernandezit në minutën e 93-të.

Pas akuzave dhe teorive për një favorizim të Argjentinës, shefi i gjyqtarëve në FIFA, Pierluigi Collina, doli në mbrojtje të gjyqtarëve.

“Diskutimet konstruktive për vendimet janë pjesë e futbollit, por akuzat e pabazuara nuk kanë vend në sportin tonë. Askush nuk mund të vërë në dyshim integritetin e gjyqtarëve të Kupës së Botës”.

Collina shtoi se askush nuk mund të pretendojë se arbitrimi i FIFA-s ndikohet nga persona të tjerë, duke theksuar se gjyqtarët marrin vendime me ndershmëri dhe punojnë në mënyrë të pavarur.

Duke sqaruar incidentet e ndeshjes, ai tha se VAR kontrollon të gjithë fazën sulmuese para çdo goli dhe se ndërhyrja ndaj Lisandro Martinez ishte një faull i qartë.

“Një faull është faull. Nëse gjyqtari nuk e sheh në fushë, VAR mund të ndërhyjë”.

Për rastin e Mohamed Salahut, Collina shpjegoi se gjyqtari dhe VAR arritën në përfundimin se kontakti me Julian Alvarez ishte pjesë normale e lojës.

“Mbrojtësi preku fillimisht topin dhe më pas pati kontakt normal futbolli. Nuk u konsiderua faull”.

Në përfundim, ai pranoi se disa vendime mbeten subjektive, por theksoi se FIFA është e kënaqur me mënyrën se si këto parime janë zbatuar gjatë gjithë turneut.

Argjentina tani do të përballet me Zvicrën në çerekfinale të Kupës së Botës, ndërsa fituesi i kësaj sfide do të ndeshet në gjysmëfinale me fituesin e duelit mes Anglisë dhe Norvegjisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër