Shkup, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se rritja e pensioneve prej rreth 3 për qind nuk është e mjaftueshme që pensionistët t’i mbulojnë shpenzimet e rritura dhe të kenë jetë të denjë.
Pas takimit me pensionistë në komunën e Karposhit në Shkup, Filipçe theksoi se rritja e çmimeve dhe shpenzimeve të jetesës e ngarkon shtesë standardin e pensionistëve, për të cilët, siç tha, nevojiten masa shtesë për mbështetje.
“Pensionistët në asnjë mënyrë nuk mund ta ndiejnë rritjen, duke pasur parasysh se rritje nën 3% nuk është e mjaftueshme për ta përballuar muajin me një rritje kaq të madhe të të gjitha çmimeve, me një rritje kaq të madhe të derivateve. Në një goditje të tillë të standardit që ka ndodhur muajt e kaluar, pensionistëve me të vërtetë u nevojitet mbështetje më e madhe”, tha Filipçe.
Ai shtoi se në takimet me pensionistët është biseduar edhe për gjendjet më të gjera në shtet dhe politikat që, sipas tij, ndikojnë mbi standardin e jetesës.
Filipçe tha se pensionistët janë të shqetësuar për gjendjen ekonomike, borxhin e shtetit, rrugën evropiane, si dhe për kushtet në të cilat jetojnë fëmijët e tyre.
“Mirëpo edhe si kategoria jonë më e vjetër e qytetarëve, ata janë të shqetësuar edhe për shumë gjëra të tjera, janë të shqetësuar për ngjarjet e përgjithshme në vend, janë të shqetësuar se është rrezikuar rruga evropiane, janë të shqetësuar se vendi është tepër i borxhuar, janë të shqetësuar për të gjitha politikat e tjera të këqija në raport me standardin, ekonominë, financat”, tha Filipçe.
Ai shtoi se, sipas tij, një numër i madh pensionistësh janë të shqetësuar edhe për shkak se fëmijët e tyre kërkojnë mundësi për jetë më të mirë jashtë shtetit.
