Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Në sistemin “Financat e hapura” nuk ka as gjurmë nga 5 milionë euro para të popullit, para të qytetarëve, theksoi kryetari i LSDM‑së, dr. Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp. Filipçe kujtoi se kryeministri Mickoski fillimisht e bindi opinionin se për koncertin e David Guetta‑s nuk ishte shpenzuar asnjë denar para të popullit, që ditën tjetër, pasi LSDM publikoi dokumente, të pranonte se bëhej fjalë për 5 milionë euro. Me këtë rast, Filipçe theksoi se Prokuroria duhet ta ndjekë rrjedhën e parave.
“Kryeministri doli dhe e gënjeu tërë opinionin maqedonas se nuk është shpenzuar asnjë denar para të popullit, që ditën tjetër, pasi e ballafaquam me dokumente, të detyrohej të pranonte se janë shpenzuar as më pak, as më shumë se 5 milionë euro. Në ç’mënyrë, ende nuk e dimë, duhet Prokuroria ta konstatojë. Policia financiare, gjithashtu të aktivizohet, të ndjekë rrjedhën e parave si ka qenë, sepse është e qartë se bëhet fjalë për një përvetësim të madh”, tha Filipçe.
Filipçe theksoi se në “Financat e hapura” për pagesën e këtyre 5 milionë eurove nuk ka asgjë, edhe pse kryeministri pretendonte se të gjitha të dhënat janë të disponueshme në këtë sistem. Ai shtoi se e gjithë procedura ngre shumë dyshime.
“Cila është ajo procedurë në të cilën me një konkluzion të Qeverisë ose një telefonatë të kryeministrit te drejtori i Lotarisë shtetërore mund të menaxhohen 5 milionë euro para të popullit. Pa vendim të Kuvendit të aksionarëve, pa asgjë. Pa asnjë të dhënë në ‘Financat e hapura’. Nuk ka asgjë. Zero të dhëna. Pra edhe këtë e gënjeu kryeministri. Tha, shihni, gjithçka ka në ‘Financat e hapura’. Nuk ka asgjë. Nuk ka as gjurmë nga 5 milionë euro, para të popullit, para të qytetarëve, që kanë shkuar në xhepat e interpretuesve. Nuk e dimë kush sa ka marrë. Nuk ka asnjë përgjigje as për këtë pyetje nga ana e Qeverisë. Tani edhe fëmijëve të vegjël u është e qartë se bëhet fjalë për projekt korruptiv të kësaj qeverie aramie, e udhëhequr nga shefi kryesor Hristijan Mickoski”, tha Filipçe.
Kryetari i LSDM‑së theksoi se në vend që mjetet milionëshe të shpenzohen për projekte jotransparente, ato mund të ishin orientuar drejt qytetarëve dhe atyre që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Ai vuri në dukje se paratë janë shpenzuar në mënyrë jotransparente, për çka pushteti do të përballet me përgjegjësi.
“Në vend që ato para të ridrejtohen për mbështetje të familjeve, për mbështetje të familjeve në periudhën e fillimit të vitit shkollor, për mbështetje të bujqve, për mbështetje të mësuesve, mjekëve, rasteve sociale, thjesht, janë shpenzuar në mënyrë jotransparente, për çka do të përballen me përgjegjësi. Do të përballen me përgjegjësi. Dhe do të vijë ajo kohë. Duhet të dinë të gjithë. Dhe duhet të dinë të gjithë drejtorët, njerëzit rreth kryeministrit dhe grupi i tij i organizuar kriminal, të cilëve ai u jep udhëzime, të mendojnë shumë mirë, posaçërisht pas kësaj ngjarjeje, nëse kështu verbërisht do ta dëgjojnë, sepse të gjithë do të përgjigjen”, tha Filipçe.
