Policia e Nju Jorkut arrestoi fituesen e çmimit Oscar, Susan Sarandon, dhe aktoren Hannah Einbinder të enjten gjatë një operacioni kundër protestave kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Pamjet filmike tregojnë anëtarë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut (NYPD) duke i vënë prangat Sarandonit gjatë protestave të organizuara ndërsa kryeministri izraelit përgatitej të fliste në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas New York Post, policia e largoi edhe aktoren Hannah Einbinder nga protesta, e cila u organizua nga grupi “Zëri Hebraik për Paqe”. Demonstruesit e mbledhur mbanin pankarta me mesazhet “Ndalo armatosjen e Izraelit” dhe “Ndalo gjenocidin”.
Susan Sarandon në një protestë në Nju Jork (Foto: Reuters)
Një zëdhënëse e NYPD tha se oficerët iu përgjigjën një raporti për një “demonstrim të panjoftuar” gjatë të cilit turma bllokoi kryqëzimin.
“Anëtarët e Byrosë u dhanë paralajmërime pjesëmarrësve që të largoheshin nga vendi. Për shkak se ata vazhduan me bllokadën, u arrestuan më shumë njerëz që nuk iu bindën urdhrit”, deklaroi zëdhënësja, pa specifikuar numrin e saktë të të arrestuarve.
Midis të ndaluarve ishin kandidatja e Partisë Demokratike për në Kongres, Darializa Avila Chevalier, dhe anëtarja e Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut, Chi Ossé.
Susan Sarandon në një protestë në Nju Jork (Foto: Reuters)
Ndërsa jashtë, brenda sallës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zhvilloheshin protesta, diplomatë të shumtë nga e gjithë bota u larguan nga salla ndërsa Netanyahu filloi fjalimin e tij.
Për Susan Sarandon, kjo nuk është hera e parë që ajo merr pjesë në protesta kundër luftës në Gaza. Aktorja amerikane u tha së fundmi gazetarëve në Festivalin e Filmit në Venecia se po humbet angazhime për shkak të pikëpamjeve të saj të shprehura publikisht.
Hannah Einbeinder në një protestë në New York (Foto: Reuters)
“Kohët e fundit, më janë hequr përsëri vende pune sepse ka agjenci që i këshillojnë njerëzit të mos më punësojnë. Por kjo është struktura e pushtetit”, tha Sarandon, “Mendoj se ka pasur një ndryshim në kuptimin e situatës në publikun e gjerë, por ende ka qëndrime të forta sioniste në industrinë time dhe ata njerëz nuk e kanë zbutur qëndrimin e tyre ndaj meje. Megjithatë, e kam gjetur komunitetin tim dhe jam mirë”.
Një pikëpamje të ngjashme ndan edhe Hannah Einbinder, e cila më parë theksoi se çmimi i heshtjes për Palestinën është dukshëm më i madh sesa humbja e një karriere në Hollywood, duke iu referuar presioneve ndaj të cilave janë të ekspozuara aktore si Sarandon dhe Melissa Barrera.



