Forcohen rregullat për korporatat, fillon epoka e raportimit dhe transparencës tatimore

Nga Xh M
788 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 prill Zhurnal.mk – Ministria e Financave ka depozituar një projektligj të ri që pritet të transformojë thelbësisht mënyrën se si bizneset e mëdha raportojnë të dhënat e tyre në Shqipëri. Ndryshimet në ligjin “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” synojnë përafrimin e plotë me direktivat më të fundit të Bashkimit Evropian, duke i hapur rrugë dy koncepteve të reja: raportimit të qëndrueshmërisë mjedisore e sociale dhe transparencës për pagesën e tatimeve nga korporatat shumëkombëshe.

Sipas projektligjit, këto masa synojnë “rritjen e besimit të investitorëve dhe luftën kundër evazionit fiskal, duke mbrojtur njëkohësisht bizneset e vogla nga barrat e panevojshme burokratike”.

Çfarë ndryshon për gjigantët e tregut?

Një nga risitë kryesore të këtij drafti është detyrimi për hartimin e një “Raporti të Qëndrueshmërisë”. Duke filluar nga viti 2028, njësitë ekonomike që plotësojnë njëkohësisht dy kritere të larta – mbi 1,000 punonjës dhe të ardhura mbi 450 milionë euro – do të duhet të deklarojnë jo vetëm bilancet financiare, por edhe ndikimin e tyre në mjedis, shoqëri dhe qeverisje.

Sipas relacionit, “kompanitë do të duhet të bëjnë transparente masat që marrin për reduktimin e gazeve serrë, të drejtat e punëtorëve, politikat e diversitetit dhe masat kundër korrupsionit”.

Ministria e Financave thekson se kjo kërkesë bazohet në parimin e “proporcionalitetit”. Kjo do të thotë se barra bie vetëm mbi një numër shumë të vogël kompanish (maksimumi 2-3 njësi në Shqipëri), duke i mbrojtur bizneset e vogla dhe të mesme nga kërkesat e tepruara për informacion nga zinxhiri i tyre i vlerës.

Transparenca tatimore

Për të forcuar luftën kundër shmangies tatimore nga korporatat e mëdha, projektligji fut detyrimin për raportimin publik të informacionit mbi tatimin mbi të ardhurat, i njohur ndërkombëtarisht si Country-by-Country Reporting.

Ky rregull vlen ekskluzivisht për grupet ndërkombëtare që kalojnë pragun prej 750 milionë euro të ardhura të konsoliduara për dy vite radhazi. Këto korporata, ose degët/bijat e tyre në Shqipëri, do të detyrohen të tregojnë qartë se “në cilat juridiksione i gjenerojnë fitimet dhe ku i paguajnë tatimet e tyre, duke ekspozuar kështu praktikat e fshehjes së fitimeve në parajsa fiskale”.

Lehtësira burokratike dhe llogaridhënie e shtuar

Përtej kërkesave të reja për korporatat e mëdha, projektligji sjell edhe lajme të mira për administrimin e përditshëm të bizneseve të tjera si ulja e kohës së ruajtjes së dokumenteve. Afati i detyrueshëm për ruajtjen e dokumentacionit kontabël reduktohet nga 10 vjet në 5 vjet, duke ulur ndjeshëm kostot e arkivimit dhe duke u harmonizuar me afatet e administratës tatimore.

Të dhënat tregojnë se mbi 30% e pasqyrave financiare nuk nënshkruhen nga hartuesit. Për të zgjidhur këtë, ligji i ri bën të detyrueshme “Deklaratën e Përgjegjësisë” nga personi që ka hartuar pasqyrat financiare, i cili duhet të vërtetojë se plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për këtë detyrë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër