Tabaku kritikon modelin ekonomik: Rritja mbahet nga ndërtimi, barra tatimore bie mbi shtresën e mesme

Nga Xh M
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 6 prill Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësime lidhur me modelin aktual ekonomik në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një tregues fiktiv që nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët. Përmes një analize të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se “ekonomia reale po vuan nga rënia e prodhimit, monopolizimi i tregjeve dhe korrupsioni sistemik.”

Rritje e bazuar te ndërtimi, jo te prodhimi

Sipas deputetes demokrate, shifrat e rritjes ekonomike nuk pasqyrojnë realitetin e përditshëm të familjeve shqiptare, pasi motorët e kësaj rritjeje nuk janë të qëndrueshëm. Ajo nënvizoi se rreth dy e treta (2/3) e rritjes ekonomike në vend vjen ekskluzivisht nga sektori i ndërtimit dhe nga zgjerimi i aparatit shtetëror.

Sipas saj, “në kontrast të thellë, sektorët jetikë që mbajnë në këmbë ekonominë reale, si bujqësia dhe industria, raportohen të jenë në rënie të vazhdueshme prej vitesh, duke e detyruar vendin të rrisë importet dhe të rëndojë xhepat e konsumatorëve.“

Barra e padrejtë tatimore

Një tjetër problematikë e ngritur nga Tabaku është shpërndarja e barrës fiskale. Sipas të dhënave të saj, “rreth 78% e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit vjen drejtpërdrejt nga tatimi mbi pagat dhe kontributet shoqërore.“

“Shteti po rrit të ardhurat duke marrë më shumë nga e njëjta shtresë: shtresa e mesme dhe profesionistët, dhe jo duke zgjeruar ekonominë reale,” u shpreh Tabaku, duke shtuar se sektorë me fitime të larta si ndërtimi dhe turizmi nuk kontribuojnë në buxhet në proporcion me fitimet që gjenerojnë.

Inflacioni i fshehur dhe kriza e strehimit

Në analizën e saj, Tabaku prek edhe krizën e strehimit dhe koston e lartë të jetesës. Ajo argumentoi se “inflacioni nuk është zhdukur, por është zhvendosur drejt tregut të pasurive të paluajtshme.“

“Blerja e një apartamenti apo pagesa e një qiraje është bërë e papërballueshme për çiftet e reja, edhe në rastet kur të dy partnerët janë të punësuar.“, thekson ajo.

Sa i përket rritjes së pagave, deputetja e cilësoi atë si një “rritje në letër” që nuk buron nga produktiviteti apo konkurrenca e lirë.

Monopolet dhe thirrja për një model të ri

Tabaku e cilësoi ekonominë aktuale si “një mollë të kalbur nga brenda”, të dëmtuar nga monopolet, oligopolet dhe korrupsioni që orienton investimet drejt interesave të ngushta dhe jo drejt nevojave të tregut.

Përballë kësaj situate, ajo bëri thirrje për një ndryshim rrënjësor të qasjes ekonomike.

“Shqipëria ka nevojë për një model tjetër. Një model që prodhon, që konkurron dhe që e kthen rritjen ekonomike në mirëqenie për çdo qytetar. Pasi ekonomia nuk matet me shifra por me jetën reale të njerëzve,” përfundoi reagimin e saj deputetja Tabaku.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër