Foto familjare e liderëve në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat

Nga D. V.
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama u prit sot nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović në kuadër të punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua sot në Tivat.

Samiti ka mbledhur liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.

Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momente nga realizimi i fotos familjare, e cila përmbylli edhe punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Takimi u zhvillua gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel dhe u kryesua nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Në samit morën pjesë gjithashtu presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët diskutuan mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Programi i samitit nisi me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Më pas u zhvillua seanca plenare e samitit, ku liderët  shkëmbyen pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta europiane dhe rajonale.

Samiti shërben gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Takimi në Tivat u zhvillua në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024–2029 dhe konfirmon rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër