Paris, 10 tetor Zhurnal.mk – Në Francë, ajo që nisi si protestë e nxënësve për kushtet në shkolla është shndërruar brenda pak javësh në një lëvizje kombëtare.
Protestat janë përhapur nga periferitë e Parisit në qytete të tjera të vendit, ndërsa bllokimet e shkollave janë shoqëruar me demonstrata, barrikada dhe përplasje me policinë. Në ditën më të madhe të mobilizimit, autoritetet raportuan më shumë se 250 mijë demonstrues në mbarë vendin. Organizatorët dhanë një shifër më të lartë.
Më shumë se 500 shkolla janë prekur nga protestat, ndërsa në disa prej tyre mësimi është ndërprerë për shkak të bllokimeve. Përmasat e lëvizjes janë rritur me shpejtësi, sipas përfaqësuesve të nxënësve.
“Për momentin, gjithçka po shkon shumë mirë. Shohim që lëvizja po bëhet gjithnjë e më masive dhe kjo thotë shumë, sepse në fillim na thoshin se ishte një protestë shumë e izoluar, por më pas ajo u përhap me një shpejtësi shumë të madhe. Nga 100 shkolla të mesme të hënën, në 400 të martën dhe më pas 643 të enjten. Tani kemi 2 mijë institucione arsimore, kryesisht shkolla të mesme, që janë të mbyllura. Pra, po, ne jemi të kënaqur”, tha presidenti i Bashkimit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Ryan Rani.
Në qendër të protestave janë problemet e sistemit arsimor. Nxënësit kërkojnë më shumë mësues, klasa më pak të mbipopulluara, staf mbështetës dhe përmirësimin e kushteve në godinat shkollore.
Sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Arsimit, gjatë vitit shkollor 2024-2025, pothuajse 10 për qind e orëve të mësimit në shkollat publike të mesme nuk u zhvilluan. Një pjesë e konsiderueshme e orëve të humbura lidhej me mungesën e mësuesve zëvendësues.
Problemet janë më të theksuara në disa prej zonave më të varfra, ku shkollat përballen me mungesa stafi dhe kushte më të dobëta infrastrukturore.
Në listën e kërkesave është edhe Parcoursup, sistemi përmes të cilit nxënësit aplikojnë për universitet, për të cilin protestuesit kërkojnë më shumë transparencë dhe qartësi.
Por protesta u përshkallëzua shpejt.Në disa qytete, bllokimet e shkollave u shoqëruan me barrikada, zjarre dhe përplasje me policinë.
Bilanci i javëve të protestave është i rëndë.Mbi 6 mijë e 100 persona janë arrestuar, ndërsa më shumë se 1 mijë e 800 persona po ndiqen penalisht. Shumica e të arrestuarve janë të mitur.
Sipas qeverisë franceze, janë plagosur 215 nxënës dhe 85 punonjës të arsimit, ndërsa më shumë se 700 efektivë policie kanë pësuar dëmtime.
Edhe dëmet materiale janë të konsiderueshme.Të paktën 24 shkolla të mesme janë dëmtuar rëndë, ndërsa dëmet vlerësohen në rreth 20 deri në 30 milionë euro. Rreth 30 mijë nxënës mund të preken nga mbyllja e zgjatur e shkollave të dëmtuara.
POLICIA NË QENDËR TË DEBATIT
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe mjete për shpërndarjen e turmave, ndërsa gjatë protestave janë kryer edhe arrestime.Përplasjet kanë lënë të plagosur protestues dhe efektivë policie.
Një prej rasteve që tërhoqi më shumë vëmendje ishte ai i një 15-vjeçari në Lens, i cili humbi dorën dhe një pjesë të parakrahut gjatë një përplasjeje me policinë.Pas incidentit, autoritetet franceze pezulluan përdorimin e granatave zhurmuese gjatë protestave studentore.
Ndërkohë, 18 incidente janë referuar për hetim nga strukturat përgjegjëse për kontrollin e veprimtarisë së policisë.
Përballë kritikave për mënyrën e ndërhyrjes, kryeministri SébastienLecornu ka mbrojtur rolin e forcave të rendit, por ka kërkuar që çdo rast i plagosjes së rëndë të hetohet.
“Ndryshe nga sa thonë dhe përsërisin disa, forcave të rendit nuk u është dhënë asnjëherë urdhër që të përballen me nxënësit e shkollave të mesme. Misioni i tyre është të mbrojnë pronën, por mbi të gjitha njerëzit, të zbatojnë ligjin dhe të garantojnë hyrjen në institucionet arsimore. Për këtë qëllim, ata duhet të veprojnë në mënyrë proporcionale, në një situatë që shpesh është shumë e vështirë, dhe këtë duhet ta pranojmë. Dua të ritheksoj mbështetjen tonë për ta. Por kur një i ri plagoset rëndë, hetimet duhet të përcaktojnë rrethanat me transparencë të plotë, ashtu siç ndodh për çdo dëmtim të një personi”, tha kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu.
Problemet që nxorën nxënësit në rrugë nuk janë të reja.Mungesa e mësuesve, kushtet e godinave dhe pabarazitë mes shkollave janë çështje që janë diskutuar prej vitesh.
Por këtë herë, këto probleme janë bashkuar me shqetësimet e nxënësve për të ardhmen e tyre, kushtet e studimit dhe kalimin nga shkolla në universitet.Në disa prej zonave më të varfra, nxënësit thonë se përballen me më pak orë mësimi dhe më pak burime sesa në zona të tjera.
Kjo ka bërë që kërkesat për arsimin të lidhen edhe me çështjen e pabarazisë sociale.Në këtë situatë, qeveria po përpiqet të rikthejë mësimin normal, por njëkohësisht duhet t’u përgjigjet edhe kërkesave të protestuesve.
Kryeministri Lecornu ka njoftuar pesë fusha ku qeveria synon të ndërhyjë: garantimin e orëve të mësimit kur mungojnë mësuesit, përmirësimin e kushteve të godinave, organizimin e orareve shkollore, ndryshimet në Parcoursup dhe krijimin e një hapësire më të qartë për pjesëmarrjen e nxënësve.
Vendimet e para janë paralajmëruar për fundin e tetorit. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet të përballojë edhe kufizimet buxhetore, në një moment kur Franca po përpiqet të reduktojë deficitin dhe borxhin publik.
Kryeministri e ka lidhur gjithashtu përgjigjen e qeverisë me tetë muajt që kanë mbetur deri në zgjedhjet presidenciale.
“Gjatë tetë muajve që na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale, qeveria do të veprojë në mënyrë pragmatike për t’iu përgjigjur pritshmërive të nxënësve të shkollave të mesme.Kemi ndërmarrë pesë nisma: për të garantuar zhvillimin e orëve të mësimit edhe kur një mësues mungon; për të përmirësuar kushtet materiale në godinat shkollore, veçanërisht përballë temperaturave ekstreme; për të organizuar më mirë oraret shkollore; për ta bërë pranimin në universitet më transparent dhe më të kuptueshëm; dhe për t’u dhënë nxënësve një hapësirë më të qartë për t’u shprehur në një demokraci që po evoluon.Vendimet e para të qeverisë do të paraqiten në fund të tetorit”, tha Lecornu.
ÇFARË KËRKOJNË PROTESTUESIT?
Përfaqësuesit e nxënësve dhe studentëve thonë se nuk mjaftojnë premtimet dhe kërkojnë masa konkrete.
“Për ne, është qeveria ajo që duhet ta qetësojë këtë situatë. Çdo ditë na flasin për qetësimin e situatës. Nëse duan që gjërat të qetësohen, qeveria duhet të marrë përgjegjësinë dhe të zbatojë dhjetë masat e propozuara nga studentët e arsimit të lartë dhe nxënësit e shkollave të mesme. Prandaj do të vazhdojmë të mobilizohemi dhe nuk do ta ndalim lëvizjen derisa qeveria të bëjë një hap drejt realizimit të këtyre kërkesave dhe të hapë rrugën për masa reale”, tha presidentja e Federatës e Shoqatave të Përgjithshme Studentore, Suzanne Nijdam.
Ndërkohë, opinioni publik francez duket se bën dallim mes kërkesave të protestuesve dhe mënyrës së protestës. Një sondazh i cituar nga Reuters tregon se 72 për qind e francezëve i konsiderojnë legjitime kërkesat e nxënësve, ndërsa 55 për qind mendojnë se protestat duhet të ndalen.
Shifrat tregojnë një situatë të ndarë: kërkesat për përmirësimin e arsimit gëzojnë mbështetje, ndërsa vazhdimi i protestave nuk ka të njëjtin nivel miratimi.
Pas disa javësh protestash, bilanci është mbi 6 mijë arrestime, qindra të plagosur, më shumë se 500 shkolla të prekura dhe dhjetëra shkolla të dëmtuara rëndë. Qeveria premton masa për mësuesit, godinat, oraret dhe sistemin e pranimit në universitet.
Protestuesit kërkojnë që këto masa të jenë konkrete.
