Fronti Europian tërheq amendamentet, Salih Murat: E braktisëm seancën në shenjë proteste

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 1 nëntor Zhurnal.mk – Deputeti i Frontit Europian, Salih Murat, ka njoftuar se grupi parlamentar i këtij koalicioni ka tërhequr amendamentet e mbetura për rebalancin e Buxhetit të vitit 2026 dhe ka braktisur seancën në shenjë proteste.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Murat bëri të ditur se Fronti Europian kishte paraqitur gjithsej 80 amendamente, të cilat, sipas tij, ishin konkrete dhe të orientuara drejt nevojave të qytetarëve.

Megjithatë, ai pretendon se propozimet e tyre janë refuzuar pa një debat të mirëfilltë.

„Kur propozimi i opozitës refuzohet paraprakisht, nuk ka negociata, ka vetëm ritual. Ky rebalanc, sipas vlerësimit tonë, është partiak, selektiv dhe antidemokratik“, ka shkruar Murat.

Ai theksoi se Fronti Europian nuk dëshiron të jetë pjesë e një procesi, rezultati i të cilit, sipas tij, është përcaktuar paraprakisht.

„Propozimet tona janë publike. Përgjegjësia për këtë buxhet u takon atyre që votuan për të“, ka deklaruar deputeti Murat.

artikuj të ndërlidhura