Fundi i politikës pro ruse të Orban, Hungaria shpall Rusinë kërcënim

Nga D V
464 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Budapest, 26 gusht, Zhurnal.mk – Qeveria e re e Hungarisë e ka cilësuar Rusinë një “kërcënim”, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm nga politika e jashtme pro-ruse e ndjekur gjatë viteve të qeverisjes së ish-kryeministrit Viktor Orban.

Ky qëndrim është përfshirë në një dokument që përcakton udhëzimet për delegacionin hungarez në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në shtator.

Dokumenti është nënshkruar nga pasardhësi i Orban, Peter Magyar, dhe është publikuar dje në mbrëmje në Fletoren Zyrtare të Hungarisë.

“Hungaria dënon agresionin ushtarak rus dhe mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”, thuhet në dokument.

Në të theksohet gjithashtu se Hungaria njeh të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje.

“Sjellja e Rusisë përbën kërcënim për Hungarinë, Evropën dhe rendin global”, vijon dokumenti.

Budapesti deklaron se mbështet të gjitha përpjekjet që mund të çojnë në negociata për një paqe të qëndrueshme dhe garanci afatgjata sigurie për Ukrainën.

Gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orban, Hungaria shpesh e zbuti ose pengoi zbatimin e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe ndërmori fushata kundër Ukrainës, e cila prej shkurtit 2022 po përballet me pushtimin e plotë rus.

Qëndrimi i Budapestit është kritikuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian.

Pas ardhjes në pushtet, Magyar njoftoi menjëherë një ndryshim të politikës së jashtme dhe distancim nga qasja e paraardhësit të tij.

Qeveria e tij e qendrës së djathtë, lejoi në qershor nisjen e negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në BE, një proces që Orban e kishte bllokuar për dy vjet.

Në bisedimet dypalëshe me Ukrainën, Hungaria ka zgjidhur gjithashtu, shumicën e çështjeve të diskutueshme në marrëdhëniet me vendin fqinj, përfshirë të drejtat e pakicës hungareze në rajonin ukrainas të Transkarpatisë, pranë kufirit me Hungarinë.

Megjithatë, ndryshe nga vendet e tjera të NATO-s, Hungaria vazhdon të refuzojë dërgimin e armëve në Ukrainë.

Qeveria e Magyar kundërshton gjithashtu, procesin e përshpejtuar të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër