Tetovë, 1 qershor, Zhurnal.mk – Tre kandidatët për rektor të Universitetit të Tetovës prezantuan sot programet dhe platformat e tyre para Komisionit Universitar Zgjedhor, profesorëve dhe studentëve, duke shpalosur vizionin e tyre për drejtimin e institucionit në mandatin e ardhshëm.
Në garën për postin e rektorit janë profesorët Kushtrim Ahmeti dhe Fehari Ramadani, si dhe rektori aktual, Jusuf Zejneli, i cili kërkon një mandat të ri.
Kandidati Kushtrim Ahmeti theksoi se platforma e tij bazohet në moton “Dije, cilësi dhe zhvillim”, duke synuar ndërtimin e një universiteti modern të bazuar në dije dhe standarde të matshme cilësie.
“Ky program i punës ngërthen moton e tij – dije, cilësi dhe zhvillim. Qëllimi ynë kryesor është të ndërtojmë një universitet të bazuar në dije, të kemi cilësi të matshme dhe që e gjithë kjo të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm institucional”, tha Ahmeti.
Nga ana tjetër, kandidati Fehari Ramadani vuri theksin te bashkëpunimi ndëruniversitar, si në hapësirën shqiptare ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Ai bëri të ditur se programi i tij përbëhet nga nëntë pika kryesore, ku një vend të rëndësishëm zë ndërkombëtarizimi i universitetit.
“Ne nuk mund të fokusohemi vetëm në botën shqiptare, sepse shoqëria po ecën vazhdimisht drejt globalizimit. Është e domosdoshme të bashkëpunojmë edhe me universitete të tjera në Evropë dhe më gjerë, prandaj programi ynë parasheh thellimin e këtyre bashkëpunimeve”, deklaroi Ramadani.
Ndërkohë, rektori aktual Jusuf Zejneli, duke prezantuar rezultatet e mandatit të tij, kërkoi mbështetje për një mandat të ri, me premtimin për vazhdimin e projekteve ekzistuese dhe realizimin e iniciativave të reja zhvillimore.
“Rrugëtimi dhe potenciali ynë i përbashkët nuk përfundon këtu. Ne kemi ende për të dhënë për Universitetin e Tetovës. Pikërisht për këtë, platforma jonë mban titullin ‘Universitet modern me standarde evropiane’, e bazuar në cilësinë akademike, me studentin në qendër dhe me përkushtim për afirmim dhe zhvillim të vazhdueshëm”, tha Zejneli.
Zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Tetovës pritet të zhvillohet në ditët në vijim, ndërsa njëri nga tre kandidatët do të marrë drejtimin e institucionit për mandatin e ardhshëm.
