Vrapçisht, 1 janar – Kandidati i pavarur për kryetar të Komunës së Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, në kuadër të fushatës së tij ka bërë të ditur se pjesë e programit të tij është edhe ndërtimi i një fushe moderne të futbollit në Gradec.
Demiri megjithëse garon si kandidat i pavarur, në këtë garë ka mbështetjen edhe nga Koalicioni VLEN dhe ASh-ja e Ziadin Selës, prandaj ai thekson se për realizimin e këtij projekti ka edhe mbështetjen e Qeverisë.
“Bashkë me zëvendësministren e Sportit, Safije Sadiki Shahini, promovuam projektin ideor për fushën e futbollit në Gradec. Me mbështetjen e Qeverisë VLEN, në Gradec do të ndërtojmë fushë futbolli me të gjitha kushtet për futbollin lokal, ashtu siç e meriton KF Gradeci. Vrapçishti mund të zhvillohet në të gjitha aspektet, mjafton vullneti i mirë, punë dhe përkushtim! Ndryshimi tashmë ka filluar, kjo do të vërehet në çdo sferë!”, thekson Demiri.
Njëherësh me rastin e ndërrimit të viteve, Demiri përcjell urime për vitin e ri 2026 për të gjithë banorët e Komunës së Vrapçishtit.

