Gashi para homologëve rajonalë: Përkushtim i palëkundur ndaj BE-së dhe NATO-s

Nga D. V.
525 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në fjalën e tij në Konferencën e 20-të të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Nismës Adriatiko-Joniane, ka deklaruar se Maqedonia e Veriut është e përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian (BE), NATO-s dhe bashkëpunimit rajonal, transmeton Anadolu.

Siç njofton zyra për media e Kuvendit, Gashi si nikoqir në këtë konferencë tha se takimet e këtilla janë mundësi e shkëlqyer për shkëmbim përvojash dhe për përpjekje të përbashkëta në përcaktimin e prioriteteve për periudhën e ardhshme.

“Në kushte të sfidave të mëdha gjeopolitike me të cilat po përballet bota, besoj se fokusi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkëpunimi, përparimi, përforcimi i lidhjeve si dhe kultivimi i vlerave që promovojnë paqen, tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjellë”, tha ai.

Gashi theksoi se për Maqedoninë e Veriut, si shtet me synim strategjik anëtarësimin e plotë në BE, është tejet e rëndësishme të jetë pjesë aktive e proceseve të bashkëpunimit rajonal dhe të përfitojë nga përvojat që ndihmojnë në procesin e integrimit evropian.

Ai shtoi se vendi mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe nuk do të tërhiqet nga ky orientim strategjik, pavarësisht pengesave në procesin e anëtarësimit. Ai tha se vendi po vazhdon reformat në fusha kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit, arsimi, shëndetësia dhe ekonomia.

Duke folur për diplomacinë parlamentare, ai theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të Kuvendit dhe deputetëve në ngjarje ndërkombëtare, me qëllim forcimin e miqësive, bashkëpunimit dhe unitetit në plan global.

Gashi potencoi karakterin multietnik të vendit dhe nevojën për ndërtimin e bashkëjetesës, tolerancës dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke shtuar se stabiliteti dhe zhvillimi i vendit janë të lidhura ngushtë me prosperitetin e gjithë rajonit.

Në këtë kontekst, ai veçoi anëtarësimin në NATO në vitin 2020 si një arritje strategjike që ka forcuar sigurinë dhe sovranitetin e shtetit. “Ky është një hap i rëndësishëm në përforcimin e sigurisë dhe stabilitetit tonë dhe është garanci e fuqishme për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Maqedonisë së Veriut”, tha ai.

Në fund, kryeparlamentari Gashi theksoi rëndësinë e projekteve infrastrukturore si Korridoret 8 dhe 10 si dhe bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e turizmit, duke theksuar se këto fusha janë kyçe për rritjen ekonomike dhe afrimin e vendeve të rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër