Shkup, 2 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, prej sot deri më 7 shkurt do të qëndrojë për vizitë në Uashington.
Gjatë vizitës, Gashi do të marrë pjesë në Lutjet e Mëngjesit (National Prayer Breakfast), një nga ngjarjet më të rëndësishme tradicionale në SHBA, si dhe do të zhvillojë një sërë takimesh me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues të organizatave partnere ndërkombëtare, me fokus forcimin e partneritetit institucional dhe politik.
Në kuadër të vizitës, kryetari i Kuvendit do t’i drejtohet Forumit të sigurisë në Kongresin amerikan, ku marrin pjesë liderë nga vendet evropiane dhe përfaqësues të Kongresit amerikan ku do të diskutohet për investimet në fushën e mbrojtjes, sigurinë rajonale dhe partneritetin transatlantik.
Gashi do të jetë pjesë e panelit të diskutimit në konferencën “Balkans Forward Summit” të organizuar nga Këshilli Atlantik.
“Vizita synon thellimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e demokracisë, sigurisë dhe integrimeve”, thonë nga Pres shërbimi i Kuvendit.

