Gene Hackman dhe bashkëshortja dyshohet se kanë vdekur nga Hantavirusi

Nga D. V.
500 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Aktori legjendar i Hollivudit, Gene Hackman, dhe bashkëshortja e tij, pianistja klasike Betsy Arakawa, u gjetën të vdekur në vilën e tyre në Santa Fe të Nju Meksikos në shkurt të vitit 2025, në një nga ngjarjet më tronditëse që pushtoi mediet ndërkombëtare, raportoi “La Repubblica”.

Sipas hetimeve mjeko-ligjore, Arakawa, 65 vjeç, kishte ndërruar jetë më 11 shkurt si pasojë e sindromës pulmonare nga Hantavirusi, një infeksion i rrallë dhe shumë i rrezikshëm që transmetohet nga brejtësit e infektuar.

Ndërsa Hackman, 95 vjeç, besohet se vdiq rreth një javë më vonë nga insuficienca kardiake, e përkeqësuar nga sëmundja e alzheimerit në fazë të avancuar.

Trupat e çiftit u zbuluan më 26 shkurt nga punonjës të mirëmbajtjes dhe sigurisë, të cilët njoftuan policinë pasi nuk kishin marrë përgjigje prej disa ditësh.

Autoritetet fillimisht e konsideruan ngjarjen “të dyshimtë”, pasi trupat u gjetën në dhoma të ndara të shtëpisë, ndërsa një nga qentë e tyre ishte gjithashtu i ngordhur në një dollap pranë banjës.

Pamjet e publikuara nga kamerat e policisë zbuluan një ambient të izoluar dhe të çrregullt, ndërsa hetimet mjedisore zbuluan praninë masive të brejtësve në pronë.

Inspektorët gjetën jashtëqitje minjsh, fole, brejtës të ngordhur dhe kurthe në garazhe, magazina dhe ndërtesa ndihmëse të vilës.

Madje, në një automjet u gjetën një brejtës i gjallë dhe gjurmë insektesh.

Ekspertët e shëndetit publik besojnë se pikërisht ky ambient favorizoi përhapjen e virusit.

Hantavirusi transmetohet përmes kontaktit me urinën, pështymën ose jashtëqitjet e brejtësve të infektuar, shpesh kur njerëzit pastrojnë ambiente të mbyllura ku kanë qëndruar minjtë.

Sëmundja fillon me simptoma të ngjashme me gripin, por mund të përparojë shumë shpejt drejt problemeve të rënda respiratore dhe vdekjes brenda 24 deri në 48 orëve nëse nuk trajtohet.

Dokumente të publikuara më vonë zbuluan se Betsy Arakawa kishte kërkuar në internet informacione për simptoma si marramendja, vështirësitë në frymëmarrje dhe gjakderdhja nga hunda vetëm pak ditë para vdekjes.

Ajo kishte kontaktuar edhe një klinikë private në Santa Fe për një vizitë mjekësore, por nuk ishte paraqitur kurrë në takim.

Hetuesit besojnë se Gene Hackman, për shkak të alzheimerit të avancuar, mund të mos e ketë kuptuar se bashkëshortja kishte vdekur.

Aktori regjistroi aktivitet e fundit rreth datës 18 shkurt, gjë që sugjeron se ai jetoi për disa ditë i vetëm në shtëpi pas vdekjes së bashkëshortes.

Ngjarja tronditi opinionin publik jo vetëm për shkak të famës së çiftit, por edhe për mënyrën dramatike se si izolimi, sëmundja dhe kushtet e degradimit në pronë – çuan në një fund tragjik për një nga ikonat më të mëdha të kinemasë amerikane.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër