Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ka ekzekutuar 7 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal që organizonte kundrejt pagesës kalimin e paligjshëm të kufirit për shtetas të huaj.
Në kuadër të operacionit, të zhvilluar me vendim të Gjykatës së Posaçme më 11 tetor 2026, janë kryer edhe 11 kontrolle personale dhe banesash.
Ndaj gjashtë prej të dyshuarve janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” mes të cilëve edhe dy punonjës policie, ndërsa për një shtetase është caktuar masa “Arrest në shtëpi”.
Hetimet nisën në vitin 2023, pas një referimi nga Policia e Shtetit, dhe përfshijnë dyshimet për ndihmë kundrejt pagesës për kalim të paligjshëm të kufirit, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të tij.
Sipas SPAK, aktiviteti i paligjshëm i këtij grupi të strukturuar kriminal konsistonte në organizimin e ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufijve për shtetasit e huaj, kryesisht me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme, kundrejt përfitimit të shumave të ndryshme monetare.
“Këta shtetas, hynin nga territori i Republikës së Greqisë, jashtë pikave të kalimit kufitar në qarkun e Korçës dhe të Gjirokastrës, në mënyrë të organizuar dhe të drejtuar nga një person për çdo grup. Grupet përbëheshin nga 3-4 deri në 50 persona. Organizatorët, bashkë me shoqëruesin i transportonin deri në kufirin verior të Shqipërisë, në qarkun e Shkodrës, ku priteshin nga persona të tjerë, edhe ata të përfshirë në këtë aktivitet”, njoftoi SPAK.
SPAK ka zbardhur shtatë episode të dyshuara të transportimit dhe kalimit të paligjshëm të shtetasve të huaj drejt kufirit me Malin e Zi, gjatë periudhës maj-korrik 2024.
Sipas hetimeve, në këto episode janë transportuar ose është tentuar të transportohen 79 shtetas të huaj, nga zona të ndryshme të vendit, përfshirë Korçën, Gjirokastrën dhe Tiranën, drejt pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit, në Shkodër.
Në një prej rasteve, më 7 korrik 2024, policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e automjetit që po transportonte katër shtetas të huaj. Ndërsa në episodet e 8 dhe 9 korrikut, dyshohet se kanë qenë të përfshirë edhe dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër, të cilët, sipas SPAK, kanë ndihmuar në kalimin e emigrantëve drejt Malit të Zi.
Një tjetër episod i rëndë lidhet me ngjarjet e 23 dhe 24 korrikut 2024, kur 11 shtetas të huaj, pasi u transportuan drejt Hanit të Hotit dhe kaluan ilegalisht kufirin me Malin e Zi, u morën peng nga pesë persona me origjinë nga Lindja e Mesme. Në bashkëpunim me autoritetet malazeze, u bë i mundur lirimi i tyre dhe arrestimi i tre prej pengmarrësve të dyshuar.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave, shqiptarë dhe të huaj, që dyshohet se janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
