Podgoricë, 22 prill Zhurnal.mk – Lideri i shqiptarëve në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, njëherësh Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik, vazhdon të dëshmojë në çdo hap përkushtimin ndaj identitetit dhe vlerave kombëtare shqiptare. Ai paraqet një zë të fuqishëm në ruajtjen dhe promovimin e historisë sonë të lavdishme, duke punuar pa ndalim për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi.
Gjatë një takimi të zhvilluar sot në Podgoricë me përfaqësues të Komisionit Evropian, një detaj domethënës tërhoqi vëmendjen: në qendër të zyrës së tij, Gjeloshaj kishte vendosur një fotografi të madhe të statujës së kryeheroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kjo statujë, e cila prej më shumë se një viti e gjysmë qëndron madhështore në Tuz të Malësisë, është kthyer tashmë në simbol të krenarisë dhe identitetit shqiptar në këtë trevë.
Ky gjest simbolik nuk është i rastësishëm. Në mes të Podgoricës, prania e figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeu në zyrën e një prej përfaqësuesve më të lartë shqiptarë në institucionet e Malit të Zi, përcjell një mesazh krenarie, qëndrueshmërie dhe përfaqësimi. Kjo dëshmon se historia shqiptare nuk mbetet vetëm në libra, por është e pranishme edhe në hapësirat kryesore vendimmarrëse të shtetit.
Nik Gjeloshaj konsolidohet si një figurë kyçe në forcimin e faktorit shqiptar dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet e Malit të Zi, duke luajtur rol të drejtpërdrejtë në proceset integruese dhe vendimmarrëse. Në këtë drejtim, Forumi Shqiptar shërben si platforma kryesore politike për përfaqësimin, artikulimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në vend.
