Gjendja me ujin në Gostivar, pushteti dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën

Nga D. V.
441 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht, Zhurnal.mk – Banorët e Gostivarit ende nuk mund të përdorin ujin e çezmës për pije, pasi ndalesa për përdorimin e tij vazhdon prej pesë javësh ndërsa partitë politike vazhdojnë të përplasen se kujt i takon përgjegjsia për situanën.

LSDM-ja akuzon autoritetet për menaxhim të dobët të krizës. Sipas tyre fshatrat dhe pjesë të qytetit janë ende me ujë teknik teksa akuzojnë autoritetet se po zvarritin zgjidhjen e problemit.
“Përsëri uji në Gostivar nuk është i sigurt për t’u pirë. Pas të gjitha njoftimeve, pas të gjitha premtimeve, pas të gjitha “analizave që tregojnë përmirësim” – qytetarëve ende nuk u lejohet të pinë ujë çezme. Prej pesë javësh. Temperaturat janë shumë të larta, qytetarët nuk kanë ujë. Shtabi lokal i krizave e zgjat ndalimin. Uji po shpërndahet në pesë pika. Fshatrat dhe pjesë të qytetit janë ende me ujë teknik”, deklaroi Trajçe Stojçevski nga LSDM.
Ndërkohë nga VMRO-DPMNE-ja kundërpërgjigjen me akuza për mosveprim ndaj raporteve të mëhershme për ndotjen e ujit. Nga partia kërkojnë që Prokuroria Publike të hetojë rastin dhe dokumentet e publikuara.
“Pikërisht ata që kanë pasur pushtet politik dhe institucional për vite me radhë, sot po përpiqen më me zë të lartë ta zhvendosin përgjegjësinë mbi të tjerët. Në vend që të shesin moral sot, ata duhet të përgjigjen për mosveprimin mbi mbi 400 raportet e marra që tregojnë për ujë të ndotur në zonën e Gostivarit. Banorët e Gostivarit duhet të dinë pse janë helmuar për vite me radhë dhe LSD dhe Filipçe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap. Prandaj, i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të hapë një çështje pasi të dëgjojë raportin dhe të hetojë dokumentet që kemi bërë publike”, u shpreh Martin Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, qytetarët e Gostivarit mbeten në pritje të zgjidhjes së problemit dhe rikthimit të ujit të pijshëm në rrjet. Nga shtabi i krizës bëjnë të ditur se presin analizën e tretë përkatësisht ditën e ejte që të dalin me rezultat për ujin e pijshëm nga çezmet e Gostivarit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër