Siverek, 14 prill Zhurnal.mk – Një ish-nxënës ka gjuajtur me armë të martën në një shkollë të mesme profesionale në Siverek, në provincën Sanliurfa të Turqisë, duke plagosur të paktën 16 persona përpara se të vetëvritej, sipas autoriteteve, shkruan AP, përcjell KosovaPress.
Sulmuesi 18-vjeçar, i armatosur me pushkë gjahu, zhvilloi të shtëna në mënyrë të rastësishme brenda shkollës, duke plagosur 10 nxënës, katër mësues, një punonjës kantine dhe një polic, tha guvernatori Hasan Sildak, duke shtuar se ai u vetëvra pasi u rrethua nga policia.
Autoritetet thanë se motivi mbetet i paqartë dhe e cilësuan ngjarjen si “incident të izoluar”. Mediat lokale raportuan se ai mund të kishte paralajmëruar sulmin në rrjete sociale, ndërsa sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, një student tha se sulmuesi hyri papritur në klasë dhe filloi të gjuaj me armë, duke detyruar nxënësit të hidheshin nga dritaret për t’u shpëtuar.
“Papritur hyri në klasë dhe qëlloi me armë. Qëlloi katër ose pesë herë. Dy persona u plagosën. Pastaj hyri në klasën tjetër…Fillimisht u shtrimë përtokë dhe më pas dy prej nesh kërcyem nga dritarja”, citohet deklarata.
