Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, takim për forcimin e dialogut gjyqësor

Nga D. V.
325 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk  – Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë zhvilluan sot një takim të përbashkët në funksion të forcimit të dialogut gjyqësor dhe konsolidimit të kulturës juridike ndërmjet dy gjykatave.

Në fjalën e saj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, theksoi rëndësinë e këtij dialogu për koherencën e jurisprudencës dhe sigurinë juridike, duke nënvizuar se shkëmbimi i praktikave ndihmon në shmangien e divergjencave, qartësimin e standardeve për gjykatat më të ulëta dhe garantimin e të drejtave themelore të individit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shpreh se kufijtë mes dy gjykatave mbrohen nga mënyra si ushtrohen kompetencat, duke theksuar se respektimi i roleve përkatëse është thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit institucional dhe besimit në drejtësi.

Në këtë takim referuan gjyqtare Marjana Semini dhe gjyqtar Asim Vokshi mbi standardin kushtetues të arsyetimit të vendimit gjyqësor dhe parimin e sigurisë juridike. Diskutimet ndërmjet gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë  vijuan në mënyrë aktive, duke nxitur shkëmbime të frytshme përvojash.

Gjatë aktivitetit, i cili u mbështet nga Këshilli i Evropës në kuadër të projektit D-REX III, u theksua se të dyja gjykatat, pavarësisht roleve të ndryshme ndajnë përgjegjësinë që drejtësia të jetë jo vetëm e dhënë, por edhe e perceptuar si e drejtë dhe e besueshme.

Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e cilësisë së drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër